Një përballje sa emocionuese aq edhe me mesazh të fortë sot te E diela shqiptare, mes djalit dhe babait të tij.
“Dua të falenderoj babin që më çoi në burg sepse po të mos kisha shkuar atje, nuk do isha këtu ku jam sot”. Mund të ngjajë deklaratë e çuditshme por kjo ka qenë arsyeja përse ai e kishte sjellë të atin tek “E diela shqiptare”. Rigelsi 33 vjeçar nga Peqini, prind i dy fëmijëve ka rrëfyer tek “Ka një mesazh për ty” pasojat e alkoolit në jetën e tij, ku më të mëdhatë kanë qenë në marrëdhënien me babain e tij Ibrahimin. Ai e kishte ftuar babain për t’i kërkuar ndjesë për dhunën e ushtruar ndaj tij e për t’i bërë të ditur se kishte 30 ditë që e kishte braktisur alkoolin përgjithmonë.
Duke patur një lokal të vogël në fshatin ku jetonte, Rigelsi e nisi alkoolin që 14 vjeç. Dilte me shokët dhe përfundonte në lokal. Nga një gotë ai thotë se arriti deri në konsumimin e një shisheje të plotë. Pavarësisht se u rrit, u martua dhe u bë baba, ai nuk hoqi dorë nga vesi i tij. Përkundrazi sasia e alkoolit shtohej përditë dhe kjo i sillte humbjen e kontrollit aq sa një ditë ushtroi dhunë ndaj babait të tij Ibrahimit.
Pas një denoncimi që i bëri vëllai, Rigelsin e arrestojnë dhe e dënojnë me 9 muaj heqje lirie në burgun e Rrogozhinës.
Izolimi në burg e bëri Rigelsin të reflektonte thellë për atë që kishte bërë për gjithë këto vite. E ndihmoi të largohej nga vesi, të kuptonte cila është shoqëria që i duhej e të forconte lidhjet shpirtërore me familjen e tij.
“Dy javët e para e kam patur shumë të vështirë sepse mendoja se më braktisën por fatmirësisht jo. Gjatë kohës që isha në burg babi nuk erdhi të më takonte asnjëherë. Pasi dola dhe shkova në shtëpi më hodhi duart në qafë dhe më tha “hajt se i’a dole”.
Rigelsi shprehet se nuk i kërkoi falje babait sepse e kishte vendosur që këtë t’ia kërkonte publikisht tek “Ka një mesazh për ty”.
Sa për shoqërinë e dikurshme atij i janë hapur sytë për të kuptuar se sa pak rëndësi kanë patur përballë familjes. “Dikur rrija me shoqërinë deri në dy të natës. Gjatë kohës që isha në burg nuk erdhi asnjë të më takonte, e as kur dola”.
Por kjo veçse e ka forcuar Rigelsin sepse gjatë kohës kur ishte në izolim nuk ka konsumuar për asnjë ditë alkool. Pas lirimit thotë se ka pirë një ose dy birra dhe prej 30 ditësh ka hequr dorë përfundimisht nga çdo lloj alkooli.
Pas vuajtjes së dënimit kjo temë është rralluar në familjen e Rigelsit por shqetësimi qëndron, sidomos tek babai i tij.
Ibrahimi është emocionuar së tepërmi kur Rigelsi i ka kërkuar ndjesë që ka vënë dorë mbi të dhe e ka falenderuar që e ka çuar në burg. Ka qenë e vështirë për babain të kujtojë episode të dhimbshme në familjen e tyre por nuk e ka fshehur gëzimin nga fakti që ai tashmë po rehabilitohet nga ai ves i keq. Nga ana e tij Rigelsi ka zbuluar atë që gjithë këto vite e kishte injoruar, familjen, të cilën e ka krahasuar me “mjaltin më të ëmbël”.