Të gjithë e vlerësojmë relievin si një nga bukuritë më të mrekullueshme në Mesdhe, ku të ofrohen jo vetëm pamje të mrekullueshme, por edhe plazhe shumë të bukura. Borshi, Himara, Dhërmiu janë disa nga vendet jo vetëm më të bukurat, por edhe me histori.
Tani do të flasim për një fshat shumë të veçantë, Qeparon po aq i kërkuar dhe i dashur sa gjithë të tjerët, por që diçka ndryshon me të dhe është, pikërisht ajo, kalaja e famshme e Ali Pashës. Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos, e cila në antikitet është njohur si në antikitet e njohur si gjiri i Panoramës.
Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparosë dhe ka formë trekëndore. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të.
Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshe. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët.
Por mbi të gjitha kjo kështjellë është ndërtuar për një njeri shumë të veçantë që Pashai i madh e kishte shumë përzemër, për një nga gratë e tij, Vasiliqinë.
Kështjellë në mes të detit për një nga gratë të më bukura, kështu thuhet nga kronikanët e asaj kohë. Vasiliqia shquhet për bukurinë e saj dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që po aq e mrekullueshme dhe e veçantë do të ishte dhe kështjella e ndërtuar në emër të saj.
Bukuria dhe madhështia e kësaj kështjelle ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i Konti Monte Kristos.
Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti Italian. Sapo kalon Qeparoin ose Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kështjella e Porto Palermos. Ky emër i ka mbetur këtij gjiri nga koha e pushtimit të italianëve, të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë.
Ajo ndodhet në një gadishull që lidhet nga një rrip i ngushtë shkëmbinjsh e dheu me tokën. Kështjella ngrihet madhështore në ishullin e mbushur me një bimësi të ulët. Një rrugicë e ngushtë, ndërmjet kësaj bimësie të ulët nëpër gurë gëlqerorë, që të shpien në derën e dhuratës së Pashait të Madh për të shoqen.
Dikur aty ka qenë një pllakë guri ku shkruhej: ”Unë Pashai i Madh, Aliu e ndërtova këtë kështjellë”. Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të vogla të bëjnë të kuptosh se dikur ajo ka qenë e banueshme.
Tashmë aty asgjë nuk të kujton kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pamja që shfaqet nga bedenat e kështjellës është e rrallë. Prej aty duket i gjithë bregdeti si dhe Gjiri i nuseve, në të cilin, sipas legjendës, lahej nusja e Ali Pashës, Vasiliqia. Forma e tarracës tregon se në atë kohë ajo ishte një vend shumë i mirë për tu mbrojtur nga armiqtë.
Aty ndodheshin topat luftarakë të Ali Pashë Tepelenës si dhe vendet ku qëndronin ushtarët. Bedenat bien menjëherë mbi det, si thikë, dhe legjenda thotë se aty përfundonin armiqtë e Pashait të Madh. Dhjetëra burra trima që kishin guxuar të sfidonin Ali Pashë Tepelenën kanë përfunduar në det ose janë përplasur në shkëmbinjtë që ndodhen poshtë bedenave. Forma e tyre tregon se ka qenë shumë e vështirë për t’i pushtuar nga ana e detit.
Në pranverë aty çelin lule të ndryshme. Madje në disa vende kanë mbirë edhe bimë shkatërruese për muret siç janë bimët me rrënjë të fuqishme, të cilat vite më pas mund të shkatërrojnë atë që nuk e prishën dot as topat luftarakë. Rrënjët e pemëve kanë hyrë thellë mes gurëve dhe nuk është ndonjë çudi që ti ndajnë ato përgjithmonë dhe të shkatërrojnë ndërtesën 200- vjeçare që Ali Pashë Tepelena ndërtoi për Vasiliqinë, aty në mes të detit Jon.
Rreth 300 metra larg kështjellës, në anë të rrugës ndodhet dhe kisha e famshme të cilën Ali Pashë Tepelena e ndërtoi personalisht për Vasiliqinë.
Kjo dhuratë simbolike ishte tepër e çmuar për Ali Pashën. Kisha ndodhej jashtë bedenave dhe ajo mund të sulmohej nga armiqtë e tij. Ndaj ndërtimin e saj Pashai i Janinës ia besoi arkitektit italian, i cili e mbaroi brenda një kohe të shkurtër.
Kur arkitekti italian i dorëzoi kishën Pashait të Madh dhe i kërkoi paratë për punën e kryer, ky i fundit i propozoi një provë. Ai i tha arkitektit që do t’i jepte paratë për punën e kryer vetëm nëse kisha do të ishte e fortë dhe do të duronte goditjet e topave. Pasi mbylli arkitektin italian në kishë, Ali Pashë Tepelena urdhëroi topçinjtë e tij të qëllonin mbi kishën e vogël.
Disa gjyle topi ranë mbi kishë, por asaj nuk i lëvizi as edhe një nga gurët që përbënin konstruksionin e saj. Kjo e siguroi Aliun se gruas së tij nuk do t’i ndodhte gjë kur të ishte në kishë. Pas kësaj ai i dha paratë arkitektit italian. Edhe pas kaq vitesh kisha nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh.
Gjithçka duke kaq e bukur dhe dashuria e tyre duket akoma kaq e gjallë./njekomb