Sulmi ndaj Boriqëve në Fier, të njohur edhe si fis të fortësh dështoi për shkak se nipi i pronarëve pa atentatorët. Ai bërtiti: “Largohuni se do na qëllojnë, do na vrasin”.
Ky ka qenë momenti kur dy vëllezërit Boriqi dhe klientët u fshehën në ambjentet e brendshme të lokalit, duke u shmangur nga rrezja e plumbave. 20 plumba automatiku u derdhën mbi fasadën e barit, por për fat nuk pati të lënduar.
Autorët u larguan me shpejtësi dhe braktisën mjetin në periferi të qytetit. Policia nuk ka zbardhur ende shkakun e ngjarjes, edhe pasi Boriqët u morën në pyetje. Ata kanë thënë se nuk kanë probleme me njeri dhe nuk dyshojnë tek askush.
Një burim i policisë tha se dëshmia e tyre mund të jetë shmangie ndaj së vërtetës. Megjithatë ende nuk janë gjetur gjurmët e autorëve të ngjarjes. Makina e cila u la afër stacionit të trenit u shkrumbua dhe policia gjeti në brendësi të saj edhe armën e krimit dhe një karikator.