Konsiderohet si “i forti i rrugës Myslym Shyri”, i arrestuar disa herë për krime të ndryshme, por përsëri ka fituar lirinë në Gjykatë.
Gjergji Cukali është vënë sërish në pranga nga Policia e Tiranës. Mbrëmjen e djeshme (12 Prill 2018), ai u arrestua pasi kishte thyer vendimin “arrest shtëpie” të Gjykatës së Lartë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Cukali u gjet larg banesës së tij, duke shkelur kështu vendimin e dhënë.
Së fundmi 39-vjeçari ishte arrestuar në Korrik të vitit 2016, si pjesë e një rrjeti kriminal të përbërë nga 16 persona, të cilët shpërndanin kokainë të cilësisë së parë në Tiranë. Fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj, tha në atë kohë Policia e Tiranës, e cila arrestoi “të fortin e Myslym Shyrit” pas hetimeve disa mujore.
Por si u zhvilluan ngjarjet që prej arrestimit në vitin 2016 deri në lirimin e tij? Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur “arrest shtëpie”, gati një vit pas arrestimit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në arrest shtëpie për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuan nga astma bronkiale dhe ka kriza të shpeshta. Për këtë arsye, thotë Gjykata e Lartë, Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.
“Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 473, datë 16.03.2017 (faqe 14-20 e dosjes gjyqësore të apelit) ka rezultuar se: “…gjendja aktuale e personit nën hetim vlerësohet e paqëndrueshme… 3. Kushtet e izolimit në paraburgim në ambiente me lagështirë ndikojnë negativisht në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të kërkuesit (arrestuarit) Gjergji Cukali, duke sjellë për pasojë insuficiencë respiratore acutae (pamundësi të frymëshkëmbimit) ose tromboemboli pulmonare acuate.
Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie” si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.
Gjykata e Lartë thotë se masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Gjergji Cukalit mund të përkeqësonte gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se në spitalin e burgut nuk mund të trajtohej sëmundja e tij kronike, madje qëndrimi në paraburgim do të përkeqësonte gjendjen e 39-vjeçarit.
“Në rastin e kërkuesit Gjergji Cukali u vërtetua nëpërmjet; i) akt-ekspertimi mjeko-ligjor Nr. 145 datë 20.01.2017 të hartuar nga ekspertët e IML-së; ii) akt-ekspertimi mjeko-ligjor Nr. 473, datë 16.03.2017 të hartuar nga ekspertët e IML-së; iii) akt vlerësimi i gjendjes shëndetësore të të arrestuarit, hartuar nga mjekët e Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” Tiranë; iv) shkresa Nr. 95/1 prot., datë 25.01.2017 të Institutit të Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë, është vërtetuar plotësisht pamundësia e trajtimit të tij nga strukturat mjekësore të Institutit të Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë dhe qëndrimi në kushtet e paraburgimit ndikojnë negativisht në gjendjen shëndetësore të tij, duke sjellë për pasojë insuficiencë respiratore acutae (pamundësi të frymëshkëmbimit) ose tromboemboli pulmonare acuate. Ndërlikimet e tromboembolisë mund të jenë vdekja e menjëhershme nga hypotendioni dhe insuficienca e ventrikulit te djathtë, zemra mushkërore kronike”, thotë gjykata.
Për këto arsye, trupa gjykuese e përbërë nga Edmond Islamaj kryetar dhe anëtarët Shkëlzen Selimi, Guxim Zenelaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca vendosën rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe lënien e tij në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike./klan