Byroja e Kuvendit vendosi të përjashtojë për 10 ditë 6 deputetë të opozitës dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Kërkesa për përjashtimin e deputetëve të opozitës u bë nga deputetët e PS. Ndërsa kërkesa për përjashtimin e Bushatit u bë nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Seanca e sotme e parlamenti u zhvillua mes tensioneve të forta në sallë. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kërkuar përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më pas disa prej tyre hodhën miell, vezë e shishe uji në drejtim të tij. I ulur në krah të kreu të qeverisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u kundërpërgjigj duke hedhur dhe ai ujë drejt deputetëve të opozitës.
Pas vendimit, deputeti socialist Ervin Bushati tha se në seancë nuk u thye vetëm rregullorja, por u konsumuan edhe elementë të veprës penale. “Deputeti Flamur Noka ka qëlluar me sende të forta drejt ministrave, gjë që është edhe vepër penale. I takon prokurorisë të vendos”,- tha Bushati.
Ndërkohë deputetët e opozitës e cilësuan vendimin si një farsë. Kreu i deputetëve të PD-së, Edi Paloka tha se vendimi është vazhdim i turpit të Kuvendit. “Vendimi që pritej. U dënuan deputetët e opozitës, megjithëse ishin atje sot thjesht në një reagim krejt normal në mbrojtje të qytetarëve të burgosur të Kukësit që edhe vet Rama i ka shpallur të pafajshëm dhe në mbështetjen e kërkesës sonë logjike për përjashtimin e një kryeministri që ka fyer popullin e tij. Një kryeministër që krahason popullin e tij me organin gjenital të mashkullit ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ka ndodhur edhe me politikanin më bastard”,- tha Edi Paloka.
Ndërkohë vendimet e sotme të Byrosë duket se nuk do të sjellin normalizmin e situatës. Deputetët e opozitës thanë se në seancën e radhës nuk do të qëllojnë vetëm me miell, por edhe me sende të tjera.
Pas vendimeve të Byrosë ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama. Në një koment në Facebook ai thotë se përjashtimi i Ministrit Ditmir Bushati është shembulli që jep Partia Socialiste, se kur shkelet rregullorja nuk heziton të ndëshkojë edhe njerëzit e vetë.
Në votimin në Byro, përjashtimi i Bushatit është votuar vetëm nga deputetët e PS dhe jo të opozitës.
NJOFTIMI I KUVEDIT PËR PËRJASHTIMIN E DEPUTETËVE
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u mblodh Byroja e Kuvendit me këtë rend dite:
1- Shqyrtimin e kërkesës të Kryetarit të Kuvendit me numër 1316 prot, datë 14.04.2018 për marrjen e masës disiplinore “përjashtim për një periudhë deri në 10 ditë nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione” të deputetëve Flamur Noka, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu.
2- Shqyrtimin e kërkesës së Kryetari të Kuvendit me numër 1312 prot. për marrjen e masës disiplinore “për përjashtimin e z. Ditmir Bushati deri në 10 ditë nga seancat e Kuvendit”.
3- Shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetesh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore më të rëndë “përjashtimin nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe komisione deri në 10 ditë”, me numër 1315 prot., të deputetëve Edi Paloka, Flamur Noka, Klevis Balliu, Ervin Salianji, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari
Pas diskutimeve ndërmjet anëtarëve dhe dëgjesën që Byroja zhvilloi me secilin nga deputetët (znj. Kejdi Mehmetaj dhe z. Ditmir Bushati nuk ishin të pranishëm), për të cilët ishin paraqitur kërkesa për masë disiplinore, anëtarët e Byrosë së Kuvendit vendosën përjashtimin nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione të deputetëve:
Edi Paloka, me 6 deputetë të mazhorancës pro dhe 2 deputetë të opozitës kundër;
Flamur Noka, me 6 deputetët e mazhorancës pro dhe 2 deputetët e opozitës kundër;
Ervin Salianji, me 6 deputetët e mazhorancës pro dhe 2 deputetët e opozitës kundër;
Klevis Balliu, me 6 deputetët e mazhorancës pro dhe 2 deputetët e opozitës kundër;
Kejdi Mehmetaj, me 6 deputetët e mazhorancës pro dhe 2 deputetët e opozitës kundër;
Endrit Braimllari, me 6 deputetët e mazhorancës pro dhe 2 deputetët e opozitës kundër.
Ditmir Bushati, u përjashtua nga punimet e seancës plenare me 6 vota pro nga deputetët e mazhorancës dhe dy votat kundër të z. Paloka dhe z. Mima.
Taulant Balla: Ajo që ndodhi në Kuvend nuk u shërben negociatave
Alibeaj: Sot me miell, nesër me mjete të tjera
Deputeti i LSI, Brahimllari: Populli nuk ndalet
Paloka paralajmëron Ramën: Do reagojmë edhe më fort
FOTO NGA INCIDENTET NË KUVEND