Loading...

Si u prek Shqipëria nga rënia e Wall Street dhe Depresioni i Madh në vitet ‘30? Nga kartelet e fajdet te zija e bukës e vetëvrasjet!

Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.
Shkruan Kreshnik Kuçaj

Kriza ekonomike botërore e njohur si “Depresioni i Madh” filloi në tetor të vitit 1929 me kolapsin e Wall Street në Shtete e dhe shumë shpejt u përhap në mbarë botën. Efektet që solli kjo krizë ishin papunësia e lartë, varfëri, përfitime të ulëta, deflacion, ulje të të ardhurave në bujqësi e rënie të theksuar ekonomike. Por mbi të gjitha, kjo krizë solli një humbje të besimit për një rritje ekonomike në të ardhmen. Kriza e nisur në vitin 1928 do të zgjaste deri në vitin 1933.

Por si u ndje në Shqipëri “Depresioni i Madh”?

Në fakt, Shqipëria do të përjetonte një krizë të thellë e më të zgjatur në kohë, deri në atë pikë sa mund të konsiderohet katastrofë si për ekonominë shtetërore, ashtu edhe për familjare. E kësaj krize, që ndikoi negativisht te dërgesat e emigrantëve e te tregtia e jashtme, me pasoja zinxhir në ekonomi më pas, do t’i shtohej edhe një periudhë e keqe stinore e prodhimit të drithit për bukë e një periudhë e tensionuar e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me Italinë. Marrëdhëniet e tensionuara do të sillnin më pas edhe ndërprerjen e një burimi të rëndësishëm që kishte shërbyer si “oksigjen” për balancën që vinte nga këstet e kredisë të cilat përdoreshin edhe për financimin e deficitit buxhetor.

Rënie e dërgesave të emigrantëve

Dërgesat e emigrantëve, sidomos e atyre nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbënin një zë të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare. Para krizës ekonomike, emigrantët dërgonin mesatarisht 10 milionë franga ari në vit. Gjatë krizës, ata dërgonin më pak se 4 milionë franga, çka dobësoi më shumë fuqinë blerëse e paguese të detyrimeve fiskale nga ana e familjeve shqiptare.  Në këtë mënyrë, kriza u ndje në buxhetet familjare, me ndikim direkt edhe në arkën e shtetit.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe Shqipëria njohu edhe një kthim të emigrantëve në vendlindje ndërsa emigracioni në vetvete nuk konsiderohej më një alternativë. Pasojat që do ta shoqëronin këtë periudhë do të ishin lëvizjet nga qyteti në fshat për të siguruar nevojat bazë të jetesës por edhe  thellimi i papunësisë në vend.

“Zhdukja” e parasë dhe fajdet

Pasojat e krizës ekonomike do të ndjeheshin edhe në zhvlerësimin e frangut shqiptar. Zhvlerësimi i tij në këtë periudhë arriti në 5-6 % çka shkaktoi panik te tregtarët e biznesmenët e tjerë të cilën shkëmbyen kartëmonedhat me monedha ari duke ndikuar negativisht te politika e bankës për kontrollin e parasë në qarkullim. Mbushja e sporteleve të bankës qendrore për shkëmbimin e parave solli një pakësim të parasë në qarkullim me 4 milionë franga; nga 14 milion ra në rreth 10 milionë franga.

Nga ana tjetër, u rrit ndjeshëm edhe fenomeni i fajdeve ku kamata arriti deri në 100 %.

Pasojat në tregtinë e jashtme

Tregtia e jashtme ishte e para që vuajti pasojat e krizës ekonomike. Gjatë kësaj periudhe importi dhe eksporti i mallrave do të arrinin nivelet e viteve të para të pasluftës së parë Botërore.

Në vitin 1929 kur filloi kriza, eksportet ishin në nivelin e 14.6 milionë franga ari ndërsa një vit më pas ato do të nisnin serinë e përvitshme të rënieve përkatësisht 12.3 milion franga ari në 1930, 7.5 milionë franga ari në 1931, 4.5 milion franga ari në 1932, 5.7 milion franga ari në në 1933 për të rënë në 4.3 milionë franga në vitin 1934. Brenda një periudhë të shkurtër, eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera shënojnë rënie të konsiderueshme me 10 milion franga më pak.

Situata ishte e ngjashme edhe me importet. Në vitin 1929 importet ishin në nivelin e 38.6 milionë franga ari për të zbritur në vitin 1930 në 33.2 milionë franga ari, e për të vijuar rënien e përvitshme përkatësisht 29.5 milionë franga në 1931, 22.8 milionë franga në 1932, 15.9 milionë franga në 1933 dhe 12.3 milionë franga në 1934. Rënia e importeve në këtë periudhë është me tre herë krahasuar me vitin e parë të krizës. Shkëmbimet tregtare do të vijonin me këtë tendencë deri në mesin e vitit 1935.

Goditja e bujqësisë, zija e bukës e vetëvrasjet

Goditjen më madhe nga kriza do të merrnin fermerët e fshatarët të cilët në pamundësi për të shitur produktet e tyre jashtë vendit, ku kishte rënë kërkesa, u detyruan të ulnin çmimet me ritme të shpejta. Por paratë në qarkullim ishin pak. E kësaj krize do t’i shtohej edhe një krizë tjetër, ajo e të korrave të pakta të misrit që do të reflektohej në zi buke në mbarë vendin, sidomos në zonat e thella malore.

Banorët e këtyre zonave u detyruan të shisnin gjithçka kishin për t’i shpëtuar urisë. Misri përbënte ushqimin kryesor për një pjesë të madhe të popullsisë dhe vonesat që pati në fillim qeveria për importin e misrit do të sillnin një shtrenjtim të çmimit të tij në treg e abuzime gjithashtu. Në vitin 1931, qeveria u detyrua të marrë masa duke importuar misër por sërish nuk do të kishte një zgjidhje të problemit për faktin se familjeve shqiptare u mungonin paratë për blerjen e tij. Në këtë periudhë nuk mungojnë as rastet e vetëvrasjes si pasojë e dëshpëruimit për pamundësinë e sigurimit të jetesës.

Në këtë periudhë, nuk mungojnë as fushatat për të ndihmuar të uriturit. Sa i përket blegtorisë, ajo do të përballej me një pakësim për faktin se kafshët do të pakësoheshin nga nevoja për t’u ushqyer familjet.

Falimentimet në industri dhe lindja e karteleve

Në vitin 1930-1931 kriza goditi rëndë industrinë e ndërtimit. Fabrika e çimentos e Shkodrës, për arsye teknike por edhe financiare ndali prodhimin dhe falimentoi. Po ashtu, nga 10 fabrika cigaresh, 5 prej tyre mbyllën aktivitetin në vend.

Një goditje të rëndë mori edhe artizanati dhe degët e tjera të industrisë gjithashtu, produktet e të cilëve konkurroheshin fort nga mallrat e eksportit. Gjatë kësaj periudhë nuk u hapën fabrika të reja, ndërsa ato ekzistuese e ngadalësuan veprimtarinë e tyre ekonomike apo e ndërprenë përkohësisht atë. Me mijëra zejtarë nuk arrinin të paguanin taksat e të shisnin produktet e tyre, çka solli një varfërim të thellë të kësaj kategorie, duke i detyruar ata që të mbyllnin dyqanet e punishtet.

Për t’i bërë ballë situatës së vështirë ekonomike, ku eksportet kishin mungesë të theksuar e tregu i brendshëm ishte i vogël për të përballuar vijimin e aktivitetit ekonomike, disa sektorë të industrisë ushqimore si industria e miellit apo ajo e alkoolit do të bashkoheshin në formën e karteleve duke ndarë mes tyre tregun.

Pamundësia e mbledhjes së taksave dhe e dhënies së pagave

Arkat e shtetit do të përballej në këtë periudhe me problematika serioze, aq sa nuk do të arrinte dot as të paguante pagat e nëpunësve. Në rrethe, vonesat shkonin deri në 6 muaj. Nga ana tjetër, kishte shumë vështirësi për mbledhjen e taksave, pavarësisht masave shtrënguese që u ndërmorën.

Politikat fiskale të kësaj periudhe rezultuan të pasuksesshme. Mallrat e sekuestruara si rrjedhojë e detyrimeve të prapambetura nuk kishin ku shiteshin si rrjedhojë e pamundësisë që kishte në vend për blerjen e tyre. Po ashtu, edhe alternativa e burgosjes nuk funksionoi e madje u konsiderua si një zgjidhje edhe më e kushtueshme pasi të burgosurit duheshin ushqyer e si rrjedhojë kostot rriteshin edhe më tej për arkën e boshatisur të shtetit.

Mospagimi i taksave në këtë periudhë vetëm në fshat vlerësohej se ishte kishte krijuar një borxh në nivelet 20 milionë franga ari.

“Oksigjeni” i munguar nga jashtë

Në dy vitet e para të krizës, qeveria bëri përpjekje për të luftuar pasojat e krizës përmës politikës së rritjes së shpenzimeve. Kjo i mundësohej edhe nga fakti se ishte nënshkruar marrëveshja për një kredi nga Italia, që parashikonte ndër të tjera edhe krijimin e një mekanizmi ekonomik për zhvillimin e vendit të emërtuar SVEA. Marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 1925 dhe parashikonte një hua 50 milionë franga ari për të financur veprat publike të cilat i nevojiteshin Shqipërisë.

Për formimin e kapitalit të këtij mekanizmi do të kontribuonin bankat e nivelit të dytë të Italisë dhe Instituti Italian për Kolonizimin dhe Ndërmarrjet e Punëve Italiane jashtë Vendit e si rrjedhojë marrëveshja parashikonte edhe koncesione në territorin shqiptar për kompanitë italiane.

Por krahas investimeve, këstet e kredisë që merreshin nga ky mekanizëm do t’i shërbenin qeverisë për të kuruar “sëmundjen kronike” të deficitit buxhetor.

Gjithsesi marrëdhëniet e disbursimit të kredisë dhe pagesa e kësteve u përballen me tensione të shumta e bllokime për shkak të pamundësisë së Shqipërisë për t’i paguar e për shkak të politikës së zgjerimit të prezencës së kapitalit të saj që ndiqte Italia në ato vite në Shqipëri.

Ndërsa vendi ndodhej në krizë, në vitin 1931, Italia kërcënoi me mosrinovimin e marrëveshjes financiare me Shqipërisë, çka nënkupton ndërprerjen e financimeve nga jashtë. Kjo e detyroi qeverinë shqiptare që jo vetëm të shkurtonte shpenzimet por edhe të shihte mënyra të tjera financimi; mes të cilave edhe opsioni i një kredia nga Lidhja e Kombeve, emetimi i kartëmonedhave apo edhe një hua e brendshme.

Asnjëra nga këto tre të fundit nuk u realizua dot duke vështirësuar në këtë mënyrë edhe më shumë pasojat e krizës ekonomike me të cilën po përballej vendi. Tensionet diplomatike mes dy vendeve, bllokimi i i financimeve nga jashtë e kërkesat e shumta që vinin nga Italia do të zgjidheshin në vitin 1936 por ndërkohë kishin përkeqësuar edhe më shumë pasojat ekonomike në vend e kishin krijuar dëshpërim jo vetëm në popullatë por tashmë edhe te shtetarët-negociatorë.

E kjo zgjidhje do të funksiononte deri në vitin 1939 kur vendi u pushtua nga Italia./SCAN/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com