Loading...

Mediat në Suedi: ”Mario u dëbua pavarësisht kërcënimit me vdekje, u vra”

Vrasja e Mario Majollarit, nga hasmi është pasqyruar në mediat suedeze. 28-vjeçari kishte 5 ditë që kishte ardhur në Shqipëri, pasi kërkesa për azil i ishte refuzuar. “Shqiptari u dëbua pavarësisht kërcënimit me vdekje, u vra”, është titulli i medias suedeze

“Ai vazhdimisht thoshte që nëse do ta kapnin, do ta qëllonin”, shprehet Anders Hedqvist, i cili ishte menaxheri i vendqëndrimit të azilit ku rrinte Mario Majollari, gjatë kohës që kërkesa e tij ishte në proces.

Në maj të 2014, Mario aplikoi për leje qëndrimi në Suedi, por autoritetet vlerësuan se 28-vjeçari nuk kishte nevojë për mbrojtje, pavarësisht se ai thoshte vazhdimisht se ishte kërcënuar kur babai i tij u arrestua.

Në gusht të 2015, Bordi i Migracionit refuzoi kërkesën e tij për azil. Mario e apeloi këtë vendim duke kërkuar që azili të aprovohej, por kërkesa e tij sërish u refuzua dy ditë përpara Krishtlindjeve të të njëjtit vit. 28-vjeçari bëri kërkesë për gjykim në Gjykatën Supreme të Migracionit, por iu refuzua dhe u kthye në Shqipëri në Pranverën e vitit 2016, sipas shtypit suedez.

“Ai u njoftua kur mori refuzimin për azil. Tha se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri dhe duhet të shkojë në një shtet tjetër për të punuar“, shpjegon Anders Hedqvist.

Menaxheri i qendrës së azilit në Suedi ku qëndronte Mario gjatë kohës që shqyrtohej kërkesa e tij, Anders thotë se e kishte ndihmuar 28-vjeçarin të gjente punë të ndryshme dhe mbante kontakte në Facebook me të.

Gjykata e Migracionit në Goteborg vendosi të refuzojë kërkesën e 28-vjeçarit sepse dëshmia e tij nuk u konsiderua e besueshme dhe nuk besonin se ekzistonte kërcënim real në Shqipëri për Marion.

Shtypi suedez thotë se vendimi i Gjykatës u bazua edhe mbi informacionin e përcjellë nga Shqipëria, duke bërë që trupa gjyqësore të arrinte në përfundimin se ”pavarësisht mangësive aktuale, sistemi gjyqësor në Shqipëri mund të ofrojë mbrojtje për konfliktet e gjakmarrjes”. Zëdhënësja për shtyp e Bordit të Migracionit, Irene Sokolow thotë se është tragjike ajo që ndodhi në Tiranë.

Avokati i Mario Majollarit në Suedi, Maravgi Staifo: ”Fatkeqësisht ju nuk e besuat dhe menduat se mund të merrte mbrojtje në Shqipëri. Kjo është një provë e qartë se Mario kishte të drejtë në pretendimet e tij, por fatkeqësisht ju i refuzuat gjyqin”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com