Loading...

Intriga që i prishi qetësinë dhe dashurinë Ilir Metës

A do të rikthehet pas sqarimit të ambasadorit Lu, sërisht qetësia dhe dashuria në Presidencë? Këtë nuk mund ta dijmë. E vetmja gjë që dihet me siguri absolute deri tani, është vetëm fundi i Adriatik Llallës.
Shkruan Alfred Peza

Presidenti i Republikës ka reaguar në stilin e tij të njohur tashmë për të gjithë, në mënyrën impulsive e flakë për flakë, menjëherë pas raportit të publikuar nga organizata “Freedom House” për Shqipërinë. Një reagim që me siguri e detyron të “bëhet pishman” ca kohë, duke u rikthyer në periudhat e gjata të “qetësisë dhe dashurisë”. Të cilat ndërpriten sërisht krejt parpritur, për një arësye të ngjashme me këtë të kësaj radhe, e kështu pambarimisht.

Shkak për prishjen e “qetësisë dhe dashurisë” këtë radhë u bënë ato rreshta të raportit ku flitej për të: “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Kaq ka mjaftuar për ta bërë Presidencën që ta japë komentin e saj, ende pa u lexuar dhe shpërndarë mirë lajmi rreth gjetjeve të raportit: “Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë. Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.”

E gjitha kjo u shoqërua menjëherë me botimin e një letre që ish Kryeprokurori Adriatik Llalla i ka dërguar në maj të 2017 Kongresit të SHBA e cila gjendet aty online prej shumë kohësh. U bë shumë kujdes që lajmi të fokusohej tek ajo pjesë ku Llalla shkruan se ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, i paskërkësh kërkuar “pa prova dhe fakte” arrestimin e Ilir Metës kur ai ka qenë Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë.

E shoqëruar kjo më pas me daljet publike të drejtuesve të LSI dhe njerëzve të tjerë rrotull Metës, më shumë sesa raporti i radhës i një organizate që e realizon këtë çdo vit e për gati çdo vend të globit, të krijohet ideja se brenda rreshtave për Shqipërinë, sapo ishte zbuluar një konspiracion i madh amerikan, me bashkëpunim me njerëz të brendshëm në Tiranë, kundër kreut të shtetit dhe ish Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nëse i qëmton faktet dhe dokumentat, ndjek kronologjinë e zhvillimeve dhe rrugën se si u “mbështet” këtë radhë alarmi i shtuar i Presidentit nga mediat, atëherë kuptohet që të gjitha rrugët e intrigës fillestare, të çojnë tek burimi. I cili është ish- Kryeprokurori Adriatik Llalla. Me sa kuptohet tashmë, për të shpëtuar karriken e tij që rrezikohej nga reforma në drejtësi që po realizohet me ndihmën e SHBA dhe BE, ai ka tentuar që të bëjë atë që dinë të bëjnë më mirë gjithmonë, intrigantët turkoshakë të Shqipërisë e mendjengushtë të kësaj bote.

Duke e kuptuar se “reforma amerikane” do ta nxirrte jashtë, ka besuar se shpëtimi mund ti vinte vetëm nga politika shqiptare. Për këtë, Adriatik Llalla ka shpikur gënjështrën se Ambasadori Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës. “Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”,- shkruan Lu.

Në këtë rast mes Lu-së dhe Llallës, do të doja shumë që ti besoja një shqiptari. Po kur mendon se ish Kryeprokurori ka gënjyer për diplomën e shkollës së mesme dhe pas kësaj drejtoi organin e akuzës për të shpikur gjithë këtë intrigë që ka bërë lëmsh Republikën, atëherë me keqardhje, por na duhet që ti besojmë ambasadorit të SHBA.

A do të rikthehet pas sqarimit të ambasadorit Lu, sërisht qetësia dhe dashuria në Presidencë? Këtë nuk mund ta dijmë. E vetmja gjë që dihet me siguri absolute deri tani, është vetëm fundi i Adriatik Llallës.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com