Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje
Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Kerauneve (nga emri i vargmalit). Zeusi i keraunëve është më i vjetër se ai i mitologjisë greke. Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorëve të Kembrixhit, djepi i lindjes se kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë. Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara. Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të, për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.
Arkeologu francez, Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja, në Palasë para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë. Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj ciklopikë, të tipizuar si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure, jeta ka qenë akoma më e vjetër. Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do te thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut te Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas.
Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbejnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës, si në një numër padidik Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi. Por në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena, etj.
Himarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij me 1444. Me 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Princi shqiptar, Balsha II ka qenë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Më 12 korrik 1577, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Në shek. XVIII, himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë, Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua careshës, thuhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Me 1818 Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”….Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhërmiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund te zhduket dhe nuk mund të mohohet.