Me dhjetëra vajza u drejtohen klinikave obstetrike-gjinekologjike për të rindërtuar himenin e virgjërisë. “Qepja”, që quhet në gjuhën popullore, kërkohet prej tyre si një nevojë e domosdoshme për të krijuar familje apo për të finalizuar me fejesë një lidhje me një djalë konservator ose emigrantë që duan bashkëshortet e tyre të paprekura. Fenomeni i rindërtimit të himenit, i prek të gjitha grupmoshat. Nëse bisedon me mjekët që kryejnë këto ndërhyrje mëson se femrat intelektuale që bëjnë këto ndërhyrje janë të rralla, e megjithatë numërohen disa. Origjina e tyre është rurale dhe më së shumti nga zonat veriore të vendit.
Çmimi i kësaj ndërhyrjeje varion 300 deri në 1200 euro,varet se çfarë grade është dhe zgjat vetëm 10 minuta. Pas kësaj ndërhyre vajza nuk duhet të kryejë marrëdhënie seksuale për një javë, derisa të shërohet plaga. Sajë kësaj ndërhyrjeje shumë vajza kanë arritur të ndërtojnë familje, edhe pse të mbështetur në një mashtrim. Ndërhyrjet e tilla kryhen më së shumti në klinikat private kudo në vendin tonë. Spitalet publike janë më pak ose aspak të frekuentuara, pasi vajzat u tremben thashethemeve.
Tirana, Durrësi, Shkodra dhe qytete të tjera të mëdha janë në krye të listës së këtyre ndërhyrjeve të veçanta gjinekologjike. Nuk ekziston një ligj apo rregullore ku ndalohet rindërtimi i himenit. Por nga ana tjetër ai nuk është as i ligjëruar. Në rastet e pakta të shënuara në Maternitetet shtetërore, “qepja” shënohet si një diagnoze e zakonshme, për të shmangur problemet e mundshme. Vajzat dhe gratë në karrierë, që jetojnë në familje liberale e konsiderojnë këtë fenomen si të turpshëm. Sipas opinioneve të mbledhura për këtë shkrim, shumica drastike e konsideron mohim të të drejtave të gruas që cënon dhe psikologjinë e saj.
Flasin specialistët
Merita Ajlushani, obsetër-gjinekologe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”
Mjerisht numri i vajzave që kërkojnë të rindërtojnë himenin është rritur. Vërehet një fluks i tyre që kërkojnë të bëjnë këtë ndërhyrje, për të hyrë në një martesë, fejesë apo qoftë dhe lidhje dashurie. Grupmoshat janë të ndryshme, por shumica e tyre janë nga veriu, nga zonat rurale, ku mentaliteti duket se vret më tepër. Në maternitet, ne nuk i trajtojmë rastet e tilla, pasi fluksi i punës që ne kryejmë paraqet raste vërtet që kanë nevojë për ndihmën tonë. Lindja e një fëmije, ndërhyrja për të shpëtuar jetën e një pacienteje, është shumë më e rëndësishme se rindërtimi i një himeni. Unë personalisht nuk pranoj të trajtoj rastet e tilla, për arsyen më të rëndësishme: virgjëria nuk është sëmundje. Dhe nuk ka pse të trajtohet si e tillë. Nuk është se i gjykoj vajzat që bëjnë këto ndërhyrje, por nuk pajtohem me këtë fenomen. Ato mund të kenë qëllime të mira që ndërmarrin të përfundojnë në rindërtim himeni.
Ermira Kasa, obsetër-gjinekologe në Spitalin Amerikan në Durrës
Më vjen vërtetë keq, që tanimë, kur ka informacion të bollshëm në këtë fushë, shumë meshkuj mendojnë se i vetmi tregues i virgjërisë është gjaku. Njihet nga mjekësia himeni pa hemorragji, që duhet të arrijë deri në masën 30% të femrave. Ato janë të virgjëra, ndonëse nuk kanë hemorragji gjatë aktit. Këta meshkuj duhet të informohen se partneret e tyre thjesht kanë një fizik të veçantë, jo se kanë humbur virgjërinë.
Theksoj se rindërtimi i himenit konsiston vetëm në sipërfaqe. Një mashkull me eksperiencë dhe njohuri duhet të jetë në gjendje të kuptojë se partnerja ka bërë një ndërhyrje të tillë. Fakti që këto paradokse ngjasin, më lë shteg të lirë të mendoj se mungesa e informacionit dhe mentaliteti konservator kanë rritur rastet e këtij fenomeni.
Daniela Kurti, socio-psikologe në Prokurorinë e Tiranës
Është e trishtueshme të mendosh se për shumë njerëz vazhdon të mbetet tabu prishja e cipës së virgjërisë para se vajza të martohet, dhe kjo ndeshet kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë. Në këto raste, fatkeqësisht nuk vlerësohet njeriu, por një cipë që vazhdon të mbetet simbol i ndershmërisë, por që në fakt nuk është e tillë. Kjo rrezikon emancipimin e shoqërisë, pasi virgjëria e një vajze është një çështje personale që ka shumë rëndësi për vetë vajzën dhe shumë më pak për të tjerët. “Virgjëria” nuk është sinonimi adekuat i ndershmërisë, moralit, sinqeritetit, pastërtisë femërore. Natyrisht që në mjaft zona të Shqipërisë virgjëria ruhet ende si një simbol i shenjtë, i destinuar t’i jepet njeriut me të cilin presupozohet të kalohet jeta. Edhe pse ky fenomen dekadat e fundit është zbutur së tepërmi, ekzistojnë mjaft njerëz të cilët e gjykojnë virgjërinë e femrës si elementin bazë të pastërtisë dhe ndershmërisë femërore.