Mark Zuckerberg, kërkoi ndjesë publike për skandalin e privatësisë që ka dëmtuar emrin e gjigantit të medias sociale Facebook, i themeluar prej tij më shumë se një dekadë më parë.
Më vjen keq, tha ai para komisioni të Kongresit, për drejtësinë dhe tregtinë, duke marrë mbi vete përgjegjësinë që nuk mundi të parandalojë shfrytezimin e të dhënave të rreth 87 milionë përdoruesve, nga firma Cambridge Analytica, e lidhur me fushatën presidenciale të kandidatit Donald Trump.
Zuckerberg u ka kërkuar falje shumë herë përdoruesve dhe publikut, por kjo është hera e parë në karrierën e tij, që ai dëshmon përpara Kongresit. Përmes seancave dëgjimore, Zuckerberg jo vetëm po përpiqet të rikthejë besimin e publikut te kompania e tij, por edhe të shmangë forcimin e rregullave federale ndaj Facebook-ut, për të cilat po flasin disa ligjvënës.
Në deklaratën e hapjes përpara senatorëve, ai gjithashtu kërkoi falje për lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes, mungesën e privatësisë së të dhënave dhe ndërhyrjen e mediave ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
“Është shumë e qartë se nuk bëmë mjaftueshëm për të parandaluar që mjete të caktuara të përdoreshin për të shkaktuar dëme. Ne nuk i vlerësuam si duhet përgjegjësitë tona dhe ky ishte një gabim i madh. Ishte gabimi im dhe më vjen keq. Unë e themelova Facebook, jam drejtues i tij dhe kam përgjegjësinë për atë që ndodh”, deklaroi Zuckerberg.
Ndërkaq, kompania ka filluar të njoftojë disa përdorues për shfrytëzimin e të dhënave nga aplikacioni tashmë i ndaluar, ‘kjo është jeta juaj dixhitale’. Në njoftimin e facebook thuhej se aplikacioni ka keqpërdorur informacionet, duke përfshirë profilet publike, pëlqimet e faqes, ditëlindjet dhe qytetet aktuale, duke i ndarë ato me Cambridge Analytica.