Një prej të të arrestuarve përgjatë operacionit të koduar “Picaso”, në momentet kur ndodhej në policinë belge, lajmëroi të atin, duke i thënë “Ikni se po vijnë bletët”.
Më 30 mars u arrestuan 8 hajdutë që kryenin grabitje në Belgjikë dhe sendet me vlerë i sillnin në Shqipëri. Mjaftoi një telefonatë nga 24-vjeçari që ishte arrestuar në Belgjikë, për të vënë në alarm hajdutët.
Ardit Skeja u prangos më 30 mars, në kuadër të operacionit të koduar “Picaso” dhe ndërsa ndodhej në ambientet e policisë belge bashkë me 4 shqiptarë të tjerë, arriti të gjente një celular për të lajmëruar të atin.
Burimet pranë grupit hetimor thanë se Skeja i tha babait të tij “Ikni se po vijnë bletët”. Kaq mjaftoi që 2 prej 10 hajdutëve të këtij grupi të arratiseshin. Megjithatë, policia shqiptare arriti të arrestonte 3 nga 5 hajdutët që ndodheshin në Tiranë.
Nga hetimet mësohet se ky grup kriminal kishte kryer të paktën 30 grabitje në Belgjikë dhe një pjesë të sendeve me vlerë i dërguan në Shqipëri. Pesë të arrestuarve në Belgjikë iu sekuestruan 5 mijë euro, ndërsa të prangosurve në Shqipëri iu gjetën sende me vlerë si ora, buzylykë, etj.