Pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha ku një vajzë nga Shkodra akuzonte publikisht një ish-punonjës policie që sipas saj ishte dhe anëtar i PS, se e përndiqte dhe i dërgonte foto nudo, vjen reagimi nga selia rozë.
Përmes një reagimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, dega e Partisë Socialiste në Shkodër deklaroi se distancoheshin nga ngjarja e shëmtuar dhe denigruese. Mes të tjerash PS e Shkodrës bën me dije se ish-polici Bajram Qarri nuk mban asnjë funksion të asnjë niveli në strukturat e selisë rozë.
20-vjeçarja denoncoi tek Berisha se ish-efektivi e përndiqte prej kohësh dhe i dërgonte foto nudo në ‘Facebook’. Po ashtu vajza akuzoi edhe policinë e Shkodrës, pasi pretendon se ka shkuar ta denoncojë Qarrin, dhe ish-kolegët e tij e kanë nxjerrë jashtë komisariatit.
REAGIMI I PS NË SHKODËR
Të nderuar qytetarë të qytetit të Shkodrës dhe ju anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste!
Nisur nga denoncimi që u bë publik pak më herët në rrjetet sociale, rreth shtetasit B.Q. për kanosje dhe postime të pamjeve të pahijshme ndaj një 20-vjeçareje nga Shkodra, shprehim distancimin tonë të prerë ndaj një fenomeni të tillë të shëmtuar dhe denigrues.
Njëkohësisht dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik që shtetasi B.Q. nuk mban asnjë funksion të asnjë niveli në strukturat e Partisë Socialiste Shkodër.
Partia Socialiste Shkodër, distancohet jo vetëm nga ky gjest i shëmtuar, por njëkohësisht edhe nga çdo aludim që qytetarja ngre rreth ndërhyrjes së strukturave apo funksionarëve partiakë në punën e institucioneve shtetërore.