Kryeministri Edi Rama i nis ditën duke promovuar turizmin në vendin tonë.
Më konkretisht ai ka publikuar një artikull të mediave britanike, ku u bëhet jehonë bukurive shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull dedikuar Shqipërisë, plazheve të mahnitshme dhe potencialeve te mrekullueshme turistike të vendit tonë në një prej mediave më prestigjoze britanike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook,
Artikulli i plotë
Bregdeti jugor i Shqipërisë, me fshatrat e këndshëm tradicionalë, kalldrëmet dhe kishat e vogla ortodokse, është plot me plazhe të mrekullueshëm me ujëra të kristalta, që rivalizojnë Greqinë fqinje me gjysmën e çmimit, shkruan faqja e specializuar për turizmin, theculturetrip.com
Dhe, nëse jeni të ngopur me bregdetin, ju mund të shkoni në burimet natyrore pranë Sarandës apo në brigjet liqenore pranë kufirit me Maqedoninë, pasi Shqipëria është plot surpriza.
Të përmendësh të gjitha plazhet e mrekullueshme është e pamundur, por më poshtë janë renditur 11 plazhet më të mahnitshme të Shqipërisë:
Drimadhes
Drimadhes, që mund të jetë plazhi më i bukur i Shqipërisë, një gji i vogël pranë Dhërmiut, me një shkëmb gjigant që ndan plazhet nga rëra, është vendi perfekt për të pushuar. Plazhi nuk është i populluar, madje as në verë, kështu që mbajeni mend mirë.
Dhërmiu
Pranë Drimadhes, ju gjeni Dhërmiun, një nga vendet më të famshme në Shqipëri, me shkëmbinj të bardhë që përkëdhelen nga ujëra blu në jeshilë.
Himara
Fshati i Himarës është një nga më të frekuentuarit në Rivierën Shqiptare, por që ende nuk e ka humbur sharmin e tij. Ka disa plazhe të mrekullueshme si Livadhi dhe Potami, të lokalizuar mes detit dhe një lumi.
Borsh
Është plazhi më i madh i Rivierës Shqiptare, një ngushticë rëre 7-kilometërshe e paprekur. Rrethohet nga ullinj dhe një mal i lartë dhe, pavarësisht bukurisë, është një nga më pak të vizituarit në vend.
Vlora
Qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë dhe vendi i plazheve mahnitëse të paprekura. Me Teuta Boat Tours mund të shkosh në Karaburun dhe Sazan, por nëse doni të ikni me makinë, shkoni në Radhimë apo Orikum.
Saranda
Konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare. Është një nga pikat më të frekuentuara të vendit për shumë arsye: qyteti ndodhet pranë kufirit me Greqinë, është përballë Korfuzit dhe ka plazhe të shkëlqyera si Pulëbardha.
Ksamil
Ndodhet në jug të Sarandës dhe është një nga destinacionet më të mira të plazheve. Quhet edhe “perla e Jonit”. Ka pamje fantastike dhe është një gji me tri ishuj të vegjël. Ju sugjerojmë ta shmangni në gusht pasi është shumë i populluar.
Gjipe
E fshehur nga malet, Gjipe është plazh perfekt për ata që duan qetësinë. Pse? Pasi plazhi është larg rrugës dhe duhen 30 minuta për të parë pamjet spektakolare që të ofron.
Narta
Vetëm 15 minuta larg Vlorës, një lagunë e mrekullueshme me ujëra blu, perfekte për familjarët. Një plus i madh është ishulli i vogël i Zvërnecit me një kishe ortodokse të shekullit XVIII, e fshehur në mes të një pylli.
Syri i Kaltër
Teknikisht nuk është plazh, por një burim natyror. Sidoqoftë, nuk prish punë pasi është vendi perfekt për të notuar i vetëm në një nga peizazhet më të bukura natyrore të vendit.
Pogradeci
Shqipëria nuk ka vetëm plazhe të mrekullueshme në det, por ajo është shtëpia e një prej liqeneve më të vjetër dhe më të bukur të Europës, ai i Ohrit. Pranë Pogradecit ka disa plazhe të jashtëzakonshme të populluara gjatë verës, por ata janë perfektë sidomos në pranverë dhe në fund të verës.