Zhvlerësimi i euros vijon në tregun vendas të këmbimit valutor dhe ditën e sotme kjo valutë i ështërikthyer niveleve nën 130 lekë. Pas një ngjitjeje që nisi 10-ditëshin e fundit të muajit Mars, u duk se valuta e përbashkët europiane mund t’i kthehej vlerave normale duke kapur edhe vlerën e 132 lekëve, por tashmë duket se rënia do të vazhdojë.
Sot një euro këmbehet për 129.8 lekë, duke u zhvlerësuar me 0.2 pikë të tjera kundrejt lekut krahasuar me ditën e djeshme. Në ndihmë të kësaj rënieje mund të kenë ndikuar edhe të dhënat e fundit që tregojnë se eurozona ngadalësoi prodhimin.
Ndërkohë, luhatjet kanë qenë pozitive sot për valutat e tjera kryesore, dollarin amerikan dhe paundin britanik.
Dollari u rrit me 0.4 pikë, duke u rikthyer në nivelet e javës së kaluar. Megjithatë pritshmëritë për këtë valutë janë të lidhura ngushtësisht me tensionet në tregtinë globale. Gjithsesi, dollari mbetet ende në nivelet më të ulëta të 4 viteve të fundit në raport me lekun.
Perspektiva pozitive për arritjen e një marrëveshjeje të kënaqshme për daljen nga Bashkimi Europian, ka favorizuar ditën e sotme edhe paundin britanik. Mbështetur nga ecuria e mirë e ekonomisë ishullore, stërlina fitoi 0.4 pikë në raport me monedhën vendase. Pritet që ky trend të vazhdojë gjatë gjithë pranverës, pasi në Maj Banka e Anglisë planifikon edhe një rritje të normave të interesit.
E pandryshuar ditën e mërkurë ka qëndruar vlera në treg e dollarit australian, ndërsa dollari kanadez i gëzohet luhatjes më të madhe pozitive të ditës, duke shtuar plot 1 pikë në raport me lekun. Ndërkohë, franga zvicerane ka rënë me 0.3 pikë krahasuar me ditën e martë dhe është tashmë 4 pikë larg atij që mund të quhet kursi i saj normal. /SCAN.