Lëvizjet e ditët e fundit të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë shkaktuar debate edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Socialistët janë gjendur në dilemë sesi duhet të reagojnë ndaj këtij “eksodi” dhe për këtë arsye gjatë mbledhjeve të ditëve të fundit, qoftë të grupit parlamentar, qoftë të Kryesisë së PS, ka patur diskutime rreth kësaj çështjeje. Disa prej përfaqësuesve të partisë qeveritare janë rreshtuar kategoritikisht kundër pranimit të këshilltarëve të LSI në PS.
Sipas informacioneve, ata janë shprehur se këta figura nuk duhet të bëhen më pjesë e partisë sepse nuk janë të besueshëm. Ata e argumentuan qëndrimin e tyre duke deklaruar se këta këshilltarë janë të “varur” nga interesi dhe për këtë arsye “shtegtojnë” shpesh. Nga ana tjetër, gjatë mbledhjeve të kampit rozë ka patur edhe nga ata zëra që kanë bërë retrospektivë duke u kthyer mbrapa në kohë e duke kujtuar se këshilltarët e LSI kanë qenë dikur socialistë, pra janë socialistë të vjetër.
Ndërkohë, sipas burimeve të afërta të gazetës “Sot”, edhe në mbledhjen e Kryesisë së PS të pak ditëve më parë ka patur diskutime rreth kësaj teme. Kryeministri Edi Rama ka biseduar me të pranishmit sesi duhet vepruar me këshilltarët e LSI që duan të bashkohen me PS. Por deri më tani nuk ka akoma një qëndrim të prerë nga ana e socialistëve.