Ngritja e organeve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshillit i Lartë i Gjyqësorit, është prioritet në mënyrë që të funksionojë reforma në drejtësi. Mirëpo ngritja e tyre është vonuar për shkak të rezultateve nga procesi i vetingut.
Deri më tani janë përzgjedhur pesë anëtarët nga Kuvendi si për KLP, ashtu edhe për KLGJ, ndërsa nuk është kryer akoma “seleksionimi” mes kandidatëve nga prokuroria dhe gjykata për KLP dhe KLGJ. Nga radhët e të gjitha niveleve të prokurorive dhe nga radhët e gjyqtarëve në të gjithë nivelet e pushtetit gjyqësor duhet të përzgjidhen nga 6 anëtarë për KLP dhe 6 për KLGJ.
Mirëpo interesant është fakti se në një kohë që lista me të gjithë kandidatët e mundshëm për organet e reja të drejtësisë është dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë, duhet të pritet përfundimi i vetingut dhe të shikohet nëse ata e kalojnë me sukses këtë proces. Burimet i thanë gazetës se për të përshpejtuar ngritjen e këtyre dy organeve të reja të drejtësisë do të angazhohet edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i cili do të ketë në fokus kryesor dosjet e kandidatëve për KLP dhe KLGJ.
Seanca dëgjimore për kandidatin e KLGJ
Deri më tani janë hapur dosjet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si edhe janë zhvilluar dy seanca dëgjimore për ta, por tani është radha e kandidatëve për anëtar në KLP dhe KLGJ, si edhe të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për këtë të fundit, gazeta “SOT” e raportoi pak ditë më parë se dosjet e tyre do të shiheshin me prioritet, ndërsa në datën 11 prill pritet të zhvillohet seanca dëgjimore me Besnik Trezhnjevën, i cili është gjykatës pranë Gjykatës së Apelit në Durrës, njëkohësisht edhe kandidat për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai do të jetë i pari nga kandidatët që do të përballet me trupën gjykuese dhe do të njihet me vendimin e saj, nëse e kalon vetingun apo jo. Kjo fakton që KPK do të ketë në vëmendje pretendentët për anëtar në KLP dhe KLGJ, duke ndihmuar kështu edhe në ngritjen e këtyre organeve të reja të drejtësisë.
Denoncimet nga qytetarët
Nga ana tjetër, burimet i thanë gazetës se ka patur një “bum” denoncimesh nga qytetarët për “aktorët” e drejtësisë, pra gjyqtarët dhe prokurorët dhe aferat e kryera prej tyre. Sipas informacioneve, ankesat më të shumta kanë lidhje me gjyqtarët dhe nga muaji dhjetor deri në mars janë dorëzuar mbi një mijë denoncime.
Mësohet se këto denoncime kanë lidhje me raste personale të qytetarëve, të cilët kanë mbetur të pakënaqur nga proceset gjyqësore dhe vendimet e marra. Për këtë arsye ata janë paraqitur personalisht ose kanë përdorur platformën e denoncimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të lançuar nga KPK për të shprehur ankesat e tyre. Por problemi qëndron në faktin se shumica e qytetarëve kanë dorëzuar vetëm vendimet e gjykatës dhe të tilla denoncimesh nuk merren shumë parasysh nga komisioni i vetingut sepse është shumë e vështirë të gjesh prova për shkelje.
Mirëpo ka edhe të tjerë të cilët si prova, përveç vendimeve të gjykatës, kanë dorëzuar edhe materiale filmike apo regjistrime të ndryshme të cilat kompromentojnë gjyqtarët apo prokurorët. Sipas neneve 41, 42 dhe 43 në ligjin e vetingut, duhet të hapen vendimet, dokumentet e performancës, si dhe duhet të shikohet çdo ankesë apo dëshmi që vjen nga qytetarët të ndryshëm. “Procedura e vlerësimit kryhet në përputhje me legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve, për aq sa është i zbatueshëm”, thuhet në nenin 43./