Për të provuar një xaxiq ndryshe provoni t’i shtoni disa gjethe borzilok kështu era e hudhrës nuk do të ndihet në gojën tuaj.
Përbërësit:
2 gota kos (ose salcë kosi)
2 kastraveca
2 lugë gjelle vaj ulliri
3 thelpinj hudhra
1 lugë kopër e grirë hollë
pak kripë
pak piper të zi
gjysmë limoni
3-4 gjethe borzilok
Përgatitja:
Për të gatuar këtë pjatë veprojmë në këtë mënyrë:
Si fillim, qërojmë kastravecat. I presim në copa shumë të vogla me thikë.
Më pas i hedhim kripë, i përziejmë dhe i vendosim në një kulluese. I lëmë kështu përreth gjysmë ore, që në këtë mënyrë të humbasin ujin që kanë.
Më pas, hedhim kosin në një grirës elektrik dhe shtojmë me radhë të gjithë përbërësit e tjerë: fillojmë me kastravecin e kulluar, vajin e ullirit, lëngun e limonit, thelpinjtë e hudhrës të qëruar, koprën, kripën dhe në fund piperin.
I grijmë mirë derisa të jenë përzier mirë të gjithë përbërësit. Salcën e përgatitur e hedhim në një enë qelqi, të cilën e mbulojmë me kapak.
E lemë në këtë mënyrë përreth një orë përpara se ta shërbejmë. E servirim salcën e xaxiqit për të shoqëruar një pjatë me mish në zgarë ose perime.