Loading...

Negociatat, Bushati: 17 prilli do të jetë një ditë e madhe për shqiptarët

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati nga Shkodra ka deklaruar se 17 prilli do të jetë një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, pasi Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“17 prilli do të jetë një ditë e madhe për të gjithë popullin, përtej qeverisë dhe opozitës” – theksoi Bushati.

Më parë edhe kryeministri Edi Rama është shprehur optimist për një rekomandim pozitiv, por fjalën e fundit e ka Këshilli i BE në qershor për hapjen e negociatave.

Shqipëria pret hapjen e negociatave, pasi në të gjitha takimet që drejtuesit e shtetit shqiptar kanë zhvilluar në Bruksel, por edhe në Tiranë me zyrtarët e BE kanë deklaruar se i kanë plotësuar të gjitha kushtet.

Nga Shkodra, Bushati, tha se pret që KE të konfirmojë reformat e bëra nga qeveria në Shqipëri, ndërsa shpreson që opozita të rikthehet në rrugën e arsyes duke mos qenë dakord me protestat e nisura.

“Kemi një ndryshim qëndrimi me opozitën por nuk është hera e parë. Shpresoj t’i rikthehen rrugës së arsyes. 17 prilli është një moment i rëndësishëm jo për qeverinë Edi Rama, jo për opozitën por është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne mendojmë se Komisioni Europian të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE çka do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shprehet ministri Bushati.

I pyetur nëse Shqipëria rrezikon që të marrë një përgjigje negative me 17 prill nga Komisioni Europian, ministri Bushati shkon edhe më tej duke thënë se përveç çeljes së negociatave pret që të nisë puna sfiduese për anëtarësimin e plotë në BE.

“Ne presim që Komisioni Europian në 17 prill të konfirmojë pikërisht reformat që janë bërë në Shqipëri dhe të propozojë nisjen e bisedimeve dhe më pas do të jetë një punë tjetër voluminoze me vendet anëtare të BE, siç dihet nevojitet konsensus i plotë në mënyrë që të nisë procesi i vështirë, sfidues për anëtarësim që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë. Është shumë e vështirë të ecet me ‘nëse’ sepse ne po punojmë për këto që thashë”, theksoi ai.

Deklaratat, ministri Bushati i bëri pas një mbledhje në Partinë Socialiste të Shkodrës si koordinator politik i këtij qarku. Gjatë mbledhjes Bushati ishte kritik me disa prej drejtorëve sa i përket qasjes ndaj qytetarëve në shërbime, ashtu siç kërkoi që të nisë puna për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 2019.

Negociatat per detin

Pavarësisht dështimit të takimit të dy kryeministrave në Korçë për Pashkët Ortodokse, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras, bisedimet midis Shqipërisë e Greqisë vazhdojnë të jenë intensive. Për këtë arsye ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias do të vijë sërish të martën në Tiranë. Pa kaluar një javë nga vizita e fundit, kryediplomati grek do jetë përsëri në kryeqytetin shqiptar.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke. Sipas tyre vizita e Kotzias do të jetë në kuadrin e një turneu dy ditor në disa vende të të Ballkanit. Ministri i Jashtëm grek do të vizitojë për dy ditë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë e në fund Shkupin. Takimi i fundit me ministrin shqiptar Ditmir Bushati nuk pati rezultatet, kjo pasi Kotzias vuri kusht që në tryezën e bisedimeve të mos përmendej termi Çamëri.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com