Loading...

Hyn në fuqi taksa e pasurisë, krijohet Drejtoria e Përgjithshme. Sa do të paguhet dhe si do të menaxhohet

Nga data 1 prill ka hyrë në fuqi taksa e pasurisë, një taksë e re e cila do të vilet nëpërmjet faturës së energjisë elektrike. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur të krijojë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, e cila do të merret pikërisht me mbledhjen e kësaj takse.

“Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë: a) 0,05 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; b) 0,2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; c) 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi”,thuhet në ligjin për taksën e pasurisë.

TAKSA E PASURISË

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka si mision kryesor administrimin në nivel qendror nga pikëpamja ligjore dhe metodologjike e taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë menaxhon regjistrin qendror të bazës të të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale). Harton metodologjinë në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme dhe monitoron zbatimin e saj. Përpunon dhe bashkërendon të dhënat në lidhje me nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat, si dhe detyrimin e taksës me metoda alternative të vlerësimit.

Monitoron dhe asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore për procedurat e ndjekura në llogaritjen e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme, me qëllim zbatimin e metodave të vlerësimit të vlerës së taksueshme, të përcaktuara në metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kryen sondazhe periodike mbi vlerësimet e bëra për llogaritjen e bazës së taksës vendore të ndërtesës në zona/nënzona të caktuara, si dhe për saktësinë e procedurës së ndjekur në vlerësim; dh) Kërkon korrektimin e të dhënave për vlerësimin e bazës së taksës vendore për ndërtesat, kur konstaton parregullsi dhe gabime në zbatimin e procedurave të vlerësimit.

Analizon procesin e mbledhjes së taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe kërkon informacion periodik mbi të ardhurat e realizuara nga taksa e pasurive të paluajtshme. Asiston në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis njësive të vetëqeverisjes vendore dhe agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, të cilat lindin ose krijohen gjatë procesit të shkëmbimit të informacionitose mbledhjes së taksës.

Gjithashtu, asiston në zgjidhjen e problematikave që mund të lindin, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve apo organeve që disponojnë të dhëna informuese, për identifikimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore dhe që ndihmojnë në llogaritjen e vlerës së ndërtesës/njësisë pronësore për qëllim taksimi.

TAKSA SIPAS TABELËS
Nivelet treguese të taksës, dhënë në tabelë, janë të vlefshme për ndërtesat në zonat urbane (bashkitë), si dhe për ndërtesat në të gjitha zonat (urbane dhe rurale) të seksionit III të tabelës “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike”. Në zonat rurale (komunat), niveli tregues i taksës për çdo kategori minimale të ndërtesës (përjashtuar seksionin III) është sa një e dyta e nivelit tregues përkatës të kategorisë minimale të ndërtesës në bashkitë qendër rrethi, në të cilat ndodhet komuna.

Për ndërtesat në pronësi të shoqërive të ndërtimit, të destinuara për shtije, por që janë ende të pashitura, taksa do të vendoset sipas destinacionit të përdorimit të ambientit të ndërtesës. Ambientet e hipotekuara si: apartamente banimi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa banimi”; ndërtesë biznesi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa të tjera për tregti dhe shërbime”.

Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategoritë e ndërtimit, për çdo kategori minimale ndërtimi në territorin që mbulon komuna apo bashkia përkatëse. Niveli i taksës është përcaktuar në lekë për metër katror. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e tatueshme.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com