Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave të dyshuar për aferën e njohur si “Pronto”. Pjesë e aktakuzës janë dy ish-shefat e GP të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti, ministri i Inovacionit Besim Beqaj, Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu dhe të tjerë zyrtarë të të njëjtës parti.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”. Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Për ndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Për çfarë veprash po akuzohen zyrtarët e PDK’së dhe sa mund të dënohen?
Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe tetë njerëzit e tjerë të PDK’së të akuzuar në aferën e njohur si “Pronto”, mund të dënohen maksimumi deri në 5 vite burgim nga gjykata. Aktakuza ndaj tyre është ngritur të premten nga Prokuroria Speciale.
Punësimet në bazë të nepotizmit e bindjeve politike, që përbëjnë vepër penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal janë të dënueshme maksimumi deri në 5 vite burgim, raporton Gazeta Express.
Për këtë vepër penale, nga e premtja, kanë të ngritur aktakuzë 11 zyrtarë dhe njerëz të afërt të PDK’së. Në mesin e tyre është personazhi kryesor i aferës “Pronto” Adem Grabovci, pasuesi i tij si shef i grupit parlamentar të PDK’së Zenun Pajaziti, Ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe zyrtarët tjerë të PDK’së Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu, Sedat Gashi etj.
Kodi Penal i Kosovës parasheh se kushdo që në cilësinë e personit zyrtarë shkel nenin 193 të këtij kodi, që përben veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite, shkruan Gazeta Express.
“Kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni kryhet nga personi zyrtar me keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, sanksionon paragrafi 4 i Neni 193 të KPRK’së.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale 11 të akuzuarit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.