[sgmb id=”1″]
Ishulli i Sazanit është ishulli më i madh i Shqipërisë i cili ndodhet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrore. Lartesia e tij është 342 metra. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer dhe ka gjatësinë 11.3 kilometra.
Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Në vitin 1389 ishulli kaloi në zotërimin e Venedikut. Në 1815 së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë periudhës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës, fshati që ndodhej në ishull quhej Sebep dhe banorët e tij u dëbuan nga ky i fundit dhe migruan drejt brigjeve të Vlorës duke u vendosur në qytetin e Vlorës dhe në fshatin Zvërnec duke ndërruar dhe fenë. Vlen të përmendet ish kryebashkiaku I qytetit të Vlorës Ibrahim Abdullai i cili ishte pinjoll i familjes Noti, njëra prej familjeve të dëbuara nga ishulli.
Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore në 1915 ishulli u pushtua nga Italia dhe një vit më vonë në 1916 nga Austro-Hungaria. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që Italianët të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të ushtrisë sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.
Gjatë kësaj periudhe ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 3 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë kësaj periudhe në ishull u ndërtuan 3600 bunkerë dhe 2840 qëndra zjarri.
Në Sazan gjenden varret e piratit ulqinak Haxhi Aliu dhe të birit të tij. Aty ka jetuar dhe shkrimtarja salentine Rina Durante.
Ishulli i Sazanit eshtë i pasur me atraksione dhe bukuri natyrore ku vlejnë të përmënden Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Djallit, Gjiri i Japrakut, Gjiri i Shënkollës, Plazhi zallor i Admiralit etj. Në Sazan ndodhen dhe dy kisha, ajo e Shën Kollit dhe e Shën Mërisë si dhe një mur venecian. Atraksion turistik në këtë ishull janë edhe reliket e mbetura nga regjimi komunist.
Këtë vit, në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, ishulli i Sazanit do të jetë i hapur për vizitorë në periudhën 1 Maj – 15 Tetor 2017 dhe do të administrohet nga Bashkia Vlorë.