Loading...

Kurveleshi, një zonë me potenciale të larta turistike !

Kurveleshi është një krahinë që jep mundësi për një turizëm në disa fusha si ajo e natyrës, turizmit malor, kulturor, historik dhe të traditës. Por deri më sot kjo krahinë pothuajse ka mbetur e pa zhvilluar në këtë fushë.

Kjo për arsyen se ajo është një zonë tepër e thellë në zemër të labërisë. Infrastruktura rrugore është e vështirë dhe mundësitë e lëvizjes janë të kufizuara. Ka disa mundësi të futesh në Kurvelesh, nga Tepelena, Gjirokastra, Vlora dhe Borshi. Nga Borshi në Kurvelesh futesh nëpërmjet Çorrajt dhe Kuçit.

Kjo është një zonë pothuajse e harruar por me potenciale të mëdha për turizmin. Krahina e Kurveleshit është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh që shkojnë deri në 150 m të thella, rrëpirash e humnerash si në Nivicë,kurveleshi Lekdush etj.

Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si: gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike si ajo e Progonatit, e Golemit etj, ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji, si edhe varfërim të bimësisë.

Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e bimë aromatike çaji, salepi, trëndelina etj., duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët, por edhe një vend me një natyrë të veçantë për t’u vizituar sidomos në periudhën e verës.

Kurveleshi i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si: Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës.

Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të vendasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore sa më autoktone. Burimet e jetesës për këtë zonë janë kryesisht blegtoria dhe pemtaria. Tokat bujqësore janë të pakta dhe në vështirësi për tu ujitur.

Kjo krahinë me një histori heroike në mbrojtjen e gjuhës amëtare dhe të territoreve të saj, akoma ka problem të zhvillimit dhe të prezantimit të traditës dhe kulturës së saj te vizitorët e huaj që duan të njihen me të. Kjo për shkak të infrastrukturës rrugore të mundimshme.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com