Zbardhen debatet.
Seanca plenare e Kuvendit ka zgjatur dje për rreth 2 orë, thuajse po aq sa zgjati protesta e opozitës, e cila bllokoi akset rrugore në gjithë vendin. Por në mungesë të pakicës në Parlament, deputetët e maxhorancës janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë procesit të votimit.
Incidenti kryesor u shënua dje gjatë votimit të projektligjit për “Diasporën”. Shkak është bërë një amendament që ministri për Diasporën kërkonte të përfshinte në projektligj, por duke e futur në procedurë në emër të deputetit socialist Andor Shameti.
Por ky propozim u refuzua nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, e cila u mbështet dhe nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla. Deputeti propozues Shameti nuk e lexoi propozimin, gjë që la të kuptohej se nuk e dinte se çfarë ishte propozuar. Ndërkohë që Taulant Balla tha se amendamenti ishte propozuar jashtë afateve.
Ajo që acaroi më shumë Pandeli Majkon, ishte e qeshura e Edi Ramës dhe fakti se ai nxori kartonin e abstenimit kur propozimi u rrëzua. Në mënyrë demonstrative, Pandeli Majko mori letrat që kishte në tavolinë dhe përplasi karrigen, duke u larguar nga votimi. Ndërkohë që Gramoz Ruçi është acaruar me deputetin e PS-së, Ervin Bushati, të cilit i ka kërkuar të bëjë autokritikë dhe të mos sjellë materiale me lapsuse në Parlament.
Bushati tentoi të korrigjojë një gabim gjuhësor në projektligjin për statistikat, po mori vërejtje nga Ruçi. “Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse”, tha Ruçi. Ndërkohë, gjatë votimit të Kodit të Sjelljes, Gramoz Ruçi është përplasur me Bashkim Finon, i cili votoi abstenim.
DEBATI NË KUVEND
Pandeli Majko:Dua të falënderoj Komisionin e Politikës së Jashtme për punën e bërë, do flasë zoti Adnor dhe për të shprehur opinionin tim lidhur me projektligjin, besoj është bërë një punë e përbashkët shumë e mirë. Do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat do të jenë të karakterit teknik dhe mendoj se ato do t’i propozojë zoti Adnori. Dua të falënderoj Komisionin e Jashtëm për propozimet shumë të frytshme…
Adnor Shameti: Ky projektligj ka për qëllim të mbështesë Diasporën ku jeton dhe ku punon. Të mbrojë të drejtën e anëtarëve të saj për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditat e vendit të origjinës që është Shqipëria. Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave, ku çështja e shqiptarëve në botë zë një vend të mëvetësishëm në kuadër të orientimit politik, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë, integrimin europian të shqiptarëve në botë. (Nis miratimi nen për nen i projektligjit për “Diasporën”)
Gramoz Ruçi:Shtohet një nen i ri me riformulim të ri…
Mimi Kodheli: Zoti kryetar, cili nen është shtuar?
Gramoz Ruçi: Neni 23. Një amendament nga Adnor Shameti, propozohet shtim neni i titulluar “Komiteti shtetëror për diasporën”. Do shpreheni zoti Adnor?
Adnor Shameti: Sipas raportit, zoti kryetar dhe sipas variantit të paraqitur deputetëve. Mimi Kodheli: Nuk është sipas raportit. Në raport neni nuk ka një shtesë të nenit 24, lidhur me “Komitetin shtetëror për Diasporën”. Unë mendoj që ky komitet i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave funksionon si organ këshillimor dhe nuk duhet të jetë pjesë e ligjit. Sepse ndërkohë funksionon si i tillë me VKM. Nuk është diskutuar në komision, ndaj mendoj që nuk duhet të futet.
Pandeli Majko: Unë e përkrah amendamentin e relatorit. Mendoj që bëhet fjalë për Komitetin Shtetëror të Diasporës që drejtohet nga Kryeministri. Dhe është, sipas nenit 3, pjesë lista e institucioneve dhe çdo institucion kërkon një nen të vetin për t’u shpjeguar dhe kjo që ka sjellë relatori është thjesht një rregullim juridik i renditjes së neneve dhe shpjegimit të institucioneve. Komiteti Shtetëror është institucion, sipas nenit 3 dhe nuk besoj se sjell ndonjë dëmtim të relacionit në gjithë logjikën e vet. Unë propozoj që Komiteti të mos ketë renditjen e të gjithë ministrive, vetëm të thuhet Komiteti është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave në fushën e Diasporës. Të shprehemi me nen të posaçëm për Komitetin Shtetëror që drejtohet nga Kryeministri.
Taulant Balla:Në aspektin procedural, nuk e keni sjellë në kohë amendamentin, që të jemi korrekt me vendimin e komisionit.
(Edi Rama qesh më të madhe)
Taulant Balla: Kryetar, mbështetim propozimin e kryetarit të Komisionit të Jashtëm. Erjon Braçe: Kryeministri ka edhe më shumë kompetenca tani…
Mimi Kodheli:Jam dakord me propozimin e kryetarit të Grupit.
Gramoz Ruçi: Hidhet në votim pro, kundër, abstenim, amendamenti i paraqitur nga zoti Shameti..,
(Grupi i PS përçahet, Balla nxjerr kartonin e kuq. Disa deputetë nxjerrin kartonët jeshilë. Kurse Edi Rama abstenon)
Pandeli Majko: Kjo është pa kuptim… (Çohet dhe përplas karrigen. Largohet nga votimi)
Gramoz Ruçi: Nuk fiton… Neni tjetër, zoti Shameti, do shpreheni? Jo. Hidhet në votim.
Taulant Balla: Shtype o Niko… Niko…
(Projektligji për statistikat)
Ervin Bushati:Neni 17 në fund të pikës tre, në raportin e komisionit të shtohen fjalët “si dhe kryen dhe gjykon të arsyeshëm auditimin statistikor te prodhuesit e statistikave zyrtare”.
Gramoz Ruçi:Ministri i Financave ka vërejtje?
Erjon Braçe:S’ka lidhje ministri i Financave këtu.
Ervin Bushati: Në nenin 21, që është ndryshuar, kemi një redaktim gjuhësor, fjala “garanton” zëvendësohet me fjalën “vlerëson”.
Gramoz Ruçi: Zotëri, propozimet i keni përpara. Keni vërejtje për atë që keni bërë? Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse. Kush është dakord me lapsusin e komisionit. Miratohet.
(Votimi i Kodit të Sjelljes. Bashkim Fino voton abstenim)
Gramoz Ruçi: Hapet votimi me elektronikë për kodin e sjelljes. Zoti Fino, mos e keni ngatërruar?
Bashkim Fino: Jo s’e kam ngatërruar, kam qëndrimin tim. Si e kam ngatërruar, mos provoko.
Gramoz Ruçi:Nuk të provokova ty, mund të votosh si të duash i dashur.
Bashkim Fino: E kam shprehur mendimin tim. Pse më pyet vetëm mua.
Gramoz Ruçi: Më fal që të pyeta. 74 pro, asnjë kundër, 1 abstenim.
VOTIMET
Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017 – 75 vota pro
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro
Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër
Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 Pro
Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro
Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro
Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundwr 1 abstenim
Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro.