Paçavurja është një ëmbëlsirë fantastike që të mahnit me shijen e saj. Është një specialitet karakteristik i amvisave të Korçës.
Sot, kjo ëmbëlsirë është shndërruar në më të preferuarat e turistëve të huaj që mbeten të magjepsur prej shijes së saj, teksa e provojnë në tavernat e ndryshme korçare.
Quhet Paçavure për shkak të mënyrës së përgatitjes së saj, kjo pasi petat vendosen rrëmujshëm gjatë përgatitjes.
Është pikërisht mënyra e përgatitjes gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire fantastike, e cila nuk kërkon shumë kohë dhe as mund për t’u realizuar.
Më poshtë keni përgatitjen e Paçavures sipas recetës së amvisave korçare.
Përgatitja e Ëmbëlsirës Paçavure në Shtëpi
Përbërësit
1 pako me peta ëmbësirash të gatshëm (i gjeni në supermarkete)
6 kokrra vezë
1 filxhan çaji me arra të thërrmuara
1 filxhan çaji me vaj ulliri
Pak gjalpë i freskët
1 filxhan çaji me kos
1 filxhan çaji me sheqer
1 lugë kafeje me sodë buke
2 pako krem karamel (i gjeni në supermarket)
Për sherbetin
800-1 kg sheqer
1 l ujë
Përgatitja
Petat e ëmbëlsirës i mbledhim rrëmujshëm dhe të rrudhosura i vendosim në një tepsi të lyer me pak gjalpë dhe i vendosim të piqen në furrë.
I lëmë në furrë për pak minuta derisa fillojnë të thahen.
Ndërkohë, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni vezët, sheqerin, vajin e ullirit, kosin, sodën e bukës dhe krem karamelin.
Përziejini mirë të gjitha bashkë dhe më pas të gjithë masën hidheni mbi petët e thara në furrë. Sipër spërkatini me arrat e thërrmuara dhe futeni të piqet përreth 20-25 minuta.
Ndërkohë, përgatisni sherbetin duke zierë sheqerin me ujin derisa të jetë gati në formën e shurupit pak të trashë.
Pasi ta hiqni ëmbëlsirën nga furra lëreni të ftohet dhe sherbetin hidhjani sipër të nxehtë.
Priteni në forma katrore apo rombi dhe Paçavurja është gati për t’u servirur.