Loading...

Qytetarja i çon letër Edi Ramës: Ke një ministër që po të turpëron

Darina Zeqiri, anëtare e shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Parma të Italisë, “Scanderbeg”, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama. Në shqetësimet e saj si përfaqësuese e shoqatës së shqiptarëve, Zeqiri shpreh shqetësimin për Ministrin e Diasporës, Pandeli Majko.
Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, Zeqiri  i thotë kryeministrit në kabinetin e tij ka një ministër si Pandeli Majko që është i paaftë, që nuk njeh problemet e emigrantëve dhe që nuk e ka idenë e asaj çfarë kërkon e ku e kërkon.

Më poshtë letra e plotë që i është dërguar Kryeministrit për ministrin e tij:

Nga Darina Zeqiri

I nderuar Kryeministër, Edi Rama,

Më lejoni me këtë letër të prezantohem e t’ju shpjegoj arsyen për të cilën po ju shkruaj.

Quhem Darina Zeqiri, jam gazetare e banoj në Parma të Italisë. Jam gjithashtu anëtare e shoqatës më të mirënjohur e më aktive në Itali, Scanderbeg Parma që organizoi tour-in 2 ditor, 25- 27 Mars, të ministres Nikolla e ministrit Majko në rajonin Emilia Romagna.

Kjo letër është me cilësi personale, po ju shkruaj në emrin tim.

Kam ndjekur hap pas hapi organizimin e kam dhënë kontributin tim personal, kohor, intelektual, aftësitë e njohjen e sistemit universitar në Parma për të mundësuar në pak ditë paralajmërim ditarin e vizitave të ministrave në Parma e rajon.

Së bashku me Bajram Hila, presidentin e shoqatës, me Vojsava Tahiraj, një ndër figurat më të mirënjohura në Parma si nga istitucionet lokale ashtu dhe nga komuniteti, me Marion Gajda, këshilltar i jashtëm i qeverisë bashkiake e shumë e shumë të tjerë, krejtësisht vullnetar, mundësuam një tour de force të pa parë ndonjëherë, me cilësi të lartë e prezencë masive të komunitetit e institucioneve.

Pikërisht, gjatë këtyre dy ditëve gjeta fatkeqësisht material me bollëk për t’ju nisur këtë letër.

Përse?

Pasi Majko, ministri pa portofol, për fat të keq të gjithëve nuk është i denjë për rolin e tij. Përtej papagallit, d.m.th disa fjali mësuar përmendësh, nuk arriti të na nderoj as ne e as Shqipërinë. Madje, vuri jo pak në siklet të gjithë që në heshtje përtypëm mbroçkullat e tij.

Një ministër arrogant e që shprehet hapur që se ka idenë e jetës së emigrantëve, që jep mësim se si këta ta përmirësojnë jetën e tyre, (pa pyetur se si ia arritën deri sot), që shprehet se është e kot që presin nga qeveria, që IOM – Organizata Ndërkombëtare e Migrimit- e AICS -Agjencia Italiane për kooperim e zhvillim – s’është asgjë. Një ministër që ka hatërmbetje me qeverinë e nuk stepet të shprehet me sipërfaqësi e pa vizion. Një ministër që takon dekanen e universitetit e cila në vetëm dy ditë paralajmërim u tregua e disponueshme, e në pritje të na nderonte prania e ministrit me mua morri impenjimin e një bashkëpunimi me universitetet shqiptare e me ofrimin e shkëmbimit të studentëve, por, zoti ministër ishte në astinencë të kafes e as dorën nuk i dha dekanes kur iu desh të largohesh. Një ministër që përçmoi punën e kryer nga të gjithë organizuesit e nuk i la mundësi të fliste figurës më të përshtatshme në atë sallë universiteti, ministres Nikolla.

Një ministër që morri pas studentët e çoroditur nga ç’po ndodhte dhe i përcolli në kafene. Student që lanë punën e leksionet për të qënë të pranishëm e nuk kuptuan asgjë nga projekti i IOM e AICS i mbështetur nga qeveria për të cilin ishin ftuar.

Një ministër që në sallën e Konfederatës nacionale të artizanatit italjan (CNA), pranë presidentit e drejtorit për inovacion, që ka ndërmarrë një iniciativë të madhe për të organizuar investimet në Shqipëri nga anëtarët e saj e që shkëmben informacione me Dhomën e Tregtisë në Tiranë, shprehet se nuk i intereson nëse këta investojnë në Shqipëri por kërkon një listë (tekstualisht: “pa nxitim, shifni e bëni, gjykoni e flasim”) të firmëtarve shqiptar në rajon. Listë, që po tu kishte dhënë vëmendje organizuesve do të dinte që egziston e mbi të ka punuar komuniteti ynë ndërvite në rajon.

Një ministër që i kërkon komunës së Parmës të vendosi njohjen e rolit të mësuesve të gjuhës shqipe në sistemin e pensioneve italiane. Pra një ministër që nuk e ka idenë e asaj çfarë kërkon e ku e kërkon.

Një ministër që urdhëron “hajde ikim” duke e mimuar dhe me dorë, kur të pranishmit e këshillit bashkiak i shpjegojnë se Bashkia e Parmës ka bërë gjithçka mundet të bëjë; dhënien e ambjenteve e promovimin e aktiviteteve të shkollës por njohja që kërkon ministri vjen nga parlamenti jo nga bashkia. Të mos kishte qënë ministria Nikolla turpësia do kishte marrë dhenë. Fal saj takimi shkoi më mirë e u përqëndrua në raportet e mira mes dy popujve e qytetit të Parmës me Tiranën. Një ministër, zoti Kryeministër, që iu drejtua si popullit ashtu dhe intelektualve në të njëjtën gjuhë, si të fliste me një kope e pa dhënë asnjëherë një mundësi diskutimi, ballafaqimi, krijime ideshë nën vizionin e një të ardhmeje. Sinqerisht, të mos dija kush ishte Majko do mendoja se këshilltari i tij, tjetër person i pacilësueshëm, mund të ishte ai. Një çift i përsosur për të groposur çdo nismë me vlerë të komunitetit dhe të shtetit.

Vërtetë Majko ishte figura e vetme e mundshme për rolin e ministrit për diasporën? Kuptoj që është pa portofol, (e kjo cilëson mirë peshën e tij) kuptoj që qeveria ende nuk di se sa influencojnë shqiptarët jashtë shtetit në politikën e saj e duhet të analizoj mirë çdo projekt që mos ta dëmtoj atë e të ndihmoj Shqipërinë, por Majko z.Kryeministër ju garantoj se është figura më e papërshtatshme. As neve s’na duhet e as juve ju ndihmon. Pra askujt. Pavarësisht përshtypjeve të mia mbi qeverinë, si të jenë një herë të mira e një herë jo, sipas nismave që ndërmerr, bashkëpunimi me IOM e AICS e shoh si diçka të vyer e ku Shteti mund të përfitoj të krijoj një rrjet produktiv të shkëmbimit ekonomik e intelektual që automatikisht do të ndikojë në përmirësimin e situatës në Shqipëri. E nëse drejtohet si duhet dhe komunikohet si duhet mundet vetëm të përmirësoj përshtypjet mbi nismën. Ndërsa ministria e diasporës me figurën e Majkos, ju garantoj, se shkul rrënjët pa u formuar ende. Përshtypjet që po ju përcjellë janë të marra nga përgjithësimi i përshtypjeve të komunitetit e si anëtare e shoqatës e promuovuese e kulturës shqiptare e si gazetare më duhet të mbrojë mundin e madh vullnetar të të gjithëve që investuan fuqitë, paratë e njohuritë e tyre. Por, figura si Majko janë figurat që përcjellin një imazh të rëndomtë mbi Shqipërinë.

Në Parma së shpejti do të vendosim, me autorizim të sapoardhur nga Bashkia, bustin e Skënderbeut në një nga parqet e qytetit. Urojmë të jetë një vepër origjinale e që promovon jo vetëm historinë shqiptare por dhe artit e saj. Por si shoqatë vullnetare e pa të ardhura që jemi, na duhet të arsyetojmë gjatë mbi ku do gjejmë paratë për derdhjen e bustit, struktura, transporti etj. Vazhdojmë të impenjohemi si gjithnjë në maksimum për të krijuar një Shqipëri të vogël dhe këtu që të mund ta njohin të gjithë. Ndërkohë që Shqipëria ka ambicie evropiane komunitetet shqiptare jashtë kufijve kanë hedhur baza të mëdha për praninë e saj në Evropë ndaj duhet vlerësuar dhe përfaqësuar nga figura që njohin punën e tyre e kanë një vizion të përbashkët bashkëpunimi.

Shqipëria ka plot probleme e askush nuk pret mrekullinë që të zgjidhen në një ditë por problemet më të mëdha i shkaktojnë përfaqësuesit e saj që jo vetëm nuk japin zgjidhje por dhe dëmtojnë me arrogancën dhe injorancën e tyre punën e kryer ndër vite nga komunitetet shqiptare në botë, mbi të gjitha në Itali e akoma më shumë në Parma ku jemi komuniteti më i integruar e i përfshirë dhe në institucionet vendase. Me keqardhje e me shpresën se “lufta” juaj kundra kujt bën qimen trà kur flet për një të metë në Shqipëri, apo nuk analizon mirë situatën, apo thjeshtë shprehet se i vjen për të thënë diçka pa logjikuar mbi pasojat që ka, të nisi nga ky pseudo ministër. E duke uruar që kritikat e përshtypjet që po ju përcjellë të konsiderohen një akt i pastër që nuk duhet të injorohet pasi për çfarë ju shkruaja kam fakte e dëshmitar

Ju uroj punë të mbarë!

Për ç’do sqarim të mundshëm mbetem në dispocion.

Darina Zeqiri

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com