Në një kohë kur mungonte opozita, pritej një seancë e qetë parlamentare, por ka plasur sherri brenda vetë mazhorancës. Debati brenda qeverisë ka nisur gjatë procesit të votimit të ligjit për diasporën.
Shkak është bërë një amendament i bërë nga Adnor Shameti për rregullimin e një neni dhe që u mbështet nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko, por që ka hasur në kundërshtimet e grupit parlamentar.
Fillimisht Mimi Kodheli e më pas Taulant Balla kanë kundërshtuar amendamentin me argumentin se nuk kishte ardhur në kohë, duke kërkuar që të rrëzohet. Në votim 74 vota kanë qenë pro ligjit të ardhur nga qeveria dhe 1 votë kundër.
Rrëzimi i amendamentit ka nxehur ministrin Majko, i cili, siç raporton e gazetari i Panorama në Kuvend, Fation Binjaku, ka përplasur karrigen dhe është larguar nga Kuvendi.
VOTIMET
Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017 – 75 vota pro
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro
Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër
Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 pro
Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro
Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro
Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundër 1 abstenim
Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro