Opozita udhëhoqi mosbindjen civile dhe bllokimin e disa akseve rrugore sot që nga Vora, deri në Milot.
Të gjitha këto kauza në dukje qytetare dhe me motive sociale binin në kontradiktë me një Mercedes luksoz G Class, që u shfaq në Milot në praninë e deputetit Flamur Noka dhe që shpërndante ujë për protestuesit “hallexhinj” të cilëve po u qante hallin politika.
Vetë Noka shihet duke komanduar veturën e shtrenjtë që afrohet dhe më pas hap derën e automjetit në fjalë për të shpërndarë “ndihmat”.
Në një moment të caktuar Noka fton operatorin e një televizioni që të mos filmojë.
Fuoristrada në fjalë nis nga çmime minimale prej 125 mijë dollarësh dhe modelet e saj nëpër botë janë të limituara në prodhim.
Politikani i pasur me veturë të shtrenjtë që udhëheq protestën me kauza sociale të qytetarëve të varfër, ishte ky kontrasti më evident që binte në sy nga dhënia e “lëmoshës” së sotme.