Asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk do përfitojë më para publike, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përmes kompanive të regjistruar në emër të familjarëve. Fëmijët, bashkëshorti, bashkëshortja, bashkëjetuesit dhe prindërit e deputetit, aksionerë në kompani të ndryshme, nuk mund të marrin më pjesë në tendera. Kështu parashikon drafti i rishikuar dhe i dakordësuar për Kodin e Sjelljes së Deputetëve.
Në Kuvendin e Shqipërisë ka disa deputetë biznesmenë, të cilët për të mos djegur mandatin e deputetit, i kanë kaluar kompanitë në emër të familjarëve, ndërsa vijojnë si më parë të fitojnë tendera dhe të marrin para publike. Në këto kushte, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në draftin e dakordësuar, kanë vendosur ndalimin e deputetit për të aplikuar në tendera publikë, me anë të shoqërisë tregtare, edhe nëse ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.
Palët kanë ndryshuar nenin 7 të draftit të parë. Konkretisht, neni 17 i dakordësuar, i cili më parë ishte neni 7, në pikën dy parashikon që kufizimi përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit. Për ta bërë edhe më të qartë kufizimin dhe ndalimin e ligjvënësit për të përfituar para publike, palët kanë shtuar një pikë tjetër.
Pika 6 e nenit 17 parashikon që nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmi, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, fëmijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe, të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit. Varianti i parë ishte më i përgjithshëm dhe nuk mundësonte ndalimin e parashikon në variantin e fundit. Ky variant i Kodit të Sjelljes është parashikuar për t’u miratuar në seancën e sotme plenare.
Dhuratat
Drafti i dakordësuar ka ndryshuar edhe parashikimet sa i takon dhuratave. Neni 23 i draftit parashikon që deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë dhurata me vlerë mbi 10 mijë lekë, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë shërbimit përgjegjës në Kuvend për administrimin e objekteve me vlerë, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit; b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, deputeti bën kallëzim pranë organit të ndjekjes penale. Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale ose historike administrohen në institucion dhe ekspozohen. Dhuratat dhe përfitimet e ngjashme sipas këtij neni, të refuzuara ose të pranuara nga deputeti, deklarohen brenda 5 ditëve dhe regjistrohen në një regjistër të posaçëm të Kuvendit.
Ndalimi
Fëmijët, bashkëshorti, bashkëshortja, bashkëjetuesit dhe prindërit e deputetit, aksionerë në kompani të ndryshme, nuk mund të marrin më pjesë në tendera.
Parashikimi
Ndalohet aplikimi në tendera nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar deputeti për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.
Varianti i dakordësuar mes PD-PS-LSI
Neni 17, ishte neni 7
Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit
- Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:
a) të ushtrojë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave;
b) të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre;
c) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
ç) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
d) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
- Kufizimi i përcaktuar në pikën 1 shkronja “b” përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.
Pronësia aktive nënkupton ushtrimin e plotë të të gjitha të drejtave që rrjedhin nga pronësia, aksionet ose pjesë të kapitalit.
Pozita dominuese në treg vlerësohet nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën sipas legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës.
Kuvendi mund të kërkojë nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën të kryejë vlerësime për një kompani në të cilën një deputet ka aksione ose kapital për të vlerësuar nëse ka pozitë dominuese në treg.
Nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmi, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, fëmijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe, të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit.
Neni 7 i draftit të parë
Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit
Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:
a) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg./Shqiptarja.com