Me rastin e 9 – vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, ministrja Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë, komandantë forcash dhe atashe të vendeve aleate, ishin në mjediset e batalionit të Forcave Speciale dhe atij Komando në Zall – Herr.
Ministrja Xhaçka e cilësoi NATO-n si më të madhe politiko-ushtarake të kohës dhe e konsideroi anëtarësimin e Shqipërisë në të si një pikë kulmore dhe një arritje të jashtëzakonshme historike për vendin tonë.
Ministrja përmendi angazhimin e Forcave tona të Armatosura në operacionet e NATO-s në Bosnje dhe Hercegovinë, duke u shndërruar gjatë këtyre viteve në një vend që gjeneron dhe ofron siguri.
“Pavarësisht se një vend i vogël dhe me mundësi të limituara, Shqipëria mbetet një ndër vendet më të përkushtuara në NATO dhe me kontribute të qenësishme në raport me vendin, popullsinë, Forcat e Armatosura dhe burimet ekonomike. Forcat tona të Armatosura numërojnë sot shumë misione dhe mbi rreth 7 mijë trupa të angazhuara në këto misione. Vendi ynë ka hyrë në hartën e vendeve që gjenerojnë dhe ofrojnë siguri. Forcat tona të Armatosura janë të përfshira në një zhvillim të vazhdueshëm dhe progresiv, në përshtatje me kërkesat e aleancës si dhe ndryshimet në ambientin e sigurisë. Ato përditë e më tepër i përngjajnë homologeve të tyre aleate, në veçanti sa i takon pajisjes, edukimit, trajnimit, të mendimit dhe të performancës. Jam e lumtur që në eksperiencën time si Ministre e Mbrojtjes e konstatoj këtë fakt jo vetëm në kontaktet e mia me strukturat e Forcave të Armatosura, por edhe nga vizitat në teatrin e operacioneve, ku ato kryejnë misionin e tyre fisnik si ruajtës të paqes, në pikat e nxehta të globit në të cilat paqja është e kërcënuar.”– u shpreh ministrja Xhaçka, e cila theksoi edhe vendosmërinë e vendit tonë për të qenë përkrah çdo angazhimi të NATO-s. “konfirmoj vullnetin politik të qeverisë se Forcat tona të Armatosura do të vijojnë të jenë pjesë aktive e operacioneve të NATO-s dhe e çdo përpjekjeje për ruajtjen apo rivendosjen e paqes, aty ku NATO dhe vendimmarrja e saj do ta gjykojë të domosdoshme.”
Gjithashtu, ministrja Xhaçka vlerësoi punën e çdo ushtaraku shqiptar gjatë këtyre viteve, që nga sakrifica sublime e dëshmorit të atdheut, kapiten Feti Vogli, e deri te djemtë e vajzat që gjenden pranë komunitet gjatë situatave të vështira dhe emergjencave civile.
Më pas të pranishmit ndoqën disa veprime demonstrative të pjesëtarëve të batalionit të Forcave Speciale dhe Komando, si dhe panë nga afër mjetet, pajisjet dhe armatimet që kanë në përdorim këto dy njësi elitë të Forcave të Armatosura shqiptare.