Trekëndëshi “Vjosë – Nartë – Zvërnec” është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Në një sipërfaqe prej rreth 20 000 ha ndërthuret një larmishmëri e gjerë habitatesh me një diversitet të lartë biologjik, çka e shtyu qeverinë shqiptare në vitin 2004 t’i japë statusin peisazh i mbrojtur kësaj zone. Ju mund të përjetoni emocionet e rralla të të qenit në një zonë ku peisazhi të ndryshon si me magji, ashtu sikurse është dhe shumëllojshmëria e shpendëve dhe bimëve që popullojnë zonën.
Udhëtimin tonë e fillojmë nga dalja e qytetit të Fierit ku ndjekim rrugën e vjetër drejt qytetit të Vlorës dhe kthehemi në fshatin Fitore, përmes një atmosfere të ngrohtë rurale vazhdojmë në veri drejt fshatit Bishan, më tej në perëndim drejt fshatit Poro, duke kaluar mbi urën në “Lumin e Vdekur” (ish grykëderdhjen e hershme të Vjosës) për të mbërritur në fushat e gjera të Grykëpishës, ku befas gjendesh nën rrethimin e Hutave dhe Shqipeve të kënetës, këtyre shpendëve të rrallë e të mëdhenj që rrëshqasin në qiejt e hapur të zonës. Kur gjendesh aty, në një anë të rrethon kaltërsia e detit me pamjen e ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit dhe nga ana tjetër laguna e Kallëngës me rrënojat e dajlaneve të vjetër dhe shpendët e shumtë. Ndër ta edhe Pelikani kaçurrel, një shpend gjigand, i cili mund të shihet vetëm në shumë pak vënde në Shqipëri. Çlodhja dhe kundrimi i shpendëve në kullën e vëzhgimit, i jep më shumë shije piknikut të drekës, i cili pasohet me ecjen e shkurtër e të këndshme përgjatë bregut drejt grykëderdhjes së Vjosës, një prej lumenjve të vetëm të egër të Evropës. Grykëderdhja e Vjosës është një ndër peisazhet më të bukura të pjesës veriore të zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Plazhi i gjerë dhe prania e dendur e peshkut e bën një vend ideal për të ngritur çadrën, hedhur grepin, për të pritur perëndimin magjik të diellit, e për të kaluar natën.
Në agimin e ditës tjetër zgjohemi me emocionin për të parë pjesën jugore të zonës së mbrojtur, akoma më e bukur dhe më e larmishme. Përgjatë një udhëtimi të shkurtër rreth 30 minuta me makinë drejt jugut gjendemi në rrethrrotullimin që të drejton për në argjinaturën që ndan lagunën e Nartës me Kriporen unike në Shqipëri. Pikërisht ky segment është një vend ideal për të kundruar shpendët e shumtë. Nga do të hedhësh sytë drejt vaskave të kripores sheh flamingot të cilët në distanca të largëta duken si gurë të bardhë që shndrisin nën dritën e Diellit. Flamingot në kripore mund të shihen në çdo ditë të vitit. Jo pak rrallë shihet dhe Pelikani kaçurrel por gjithashtu edhe shumë lloje të tjera shpendësh uji si Sqepbiza, Kojliku, Kalorësi, shumë lloje rosash, çafkash, baltakësh etj. Mbas një kundrimi të kënaqshëm të shpendëve, vazhdojmë udhëtimin për pak minuta drejt fshatit të Nartës, ku mund të shijojmë drekën me prodhimet lokale në restorantet buzë rruge në hyrje të fshatit ose në restorantet përtej Pyllit të Sodës, në Zvërnec. Nën cicërimat e zogjve këndonjës mund të shijojmë peisazhet e mrekullueshme të ishullit të Zvërnecit ku ndodhet manastiri i vjetër, plazheve të gjerë e të virgjër të Triportit, Dajlanit të lagunës dhe kodrave të Dajlanit, nga ku duket një peisazh i gjerë dhe tejet i larmishëm. Mbas shkarkimit të baterive të aparatit fotografik në zonë, në mbrëmje na presin dyert e hapura të shtëpive të turizmit familjar në Zvërnec, ku na ndjell aroma e ushqimeve organike të traditës dhe historitë e legjendat interesante të banorëve të zonës për të kaluarën e saj.