Një prioritet i turizmit shqiptar është dhe thithja e vizitorëve nga Vendet e Lindjes dhe kryesisht nga Kina.
Në një dalje për mediat, Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu, e vlerësoi Shqipërinë si një atraksion për turistët kinezë. Ambasadorja tha se, Shqipëria po shihet si një perspektivë turistike e kinezëve në Europë.
Krahasuar me vendet pranë si Italia, që u vizitua nga 3 milionë kinezë vitin që shkoi dhe Greqia nga 1 milion, Shqipërinë e vizituan 10 mijë turistë kinezë.
“Ne po punojmë që kjo shifër të rritet këtë vit, duke hapur kështu një perspektivë të mirë për turizmin tonë në Shqipëri.
Po punojmë me operatorë turistikë kinezë për njohjen e Shqipërisë dhe të njëjtën gjë po kërkojmë dhe nga operatorët tuaj turistik”, tha ajo.
E pyetur se çfarë turizmi pëlqejnë kinezët në Shqipëri, Ambasadorja tha se prioritet zë ai kulturor me Krujën dhe Gjirokastrën, por edhe natyra e bukur shqiptare.
Kruja pëlqehet për historinë heroike të saj, ndërsa Gjirokastra edhe sepse aty është luajtur filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, që kinezët e pëlqejnë dhe gjejnë pika të përbashkëta mes dy popujve.
“Ne jemi për një politikë rajonale përsa i përket turizmit, ku do të përfshihen vendet ballkanike. Turizmi rajonal është më i suksesshëm dhe këtu do të përfitoj përparësi dhe Shqipëria”, tha Ambasadorja.
Është bërë shumë progres në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy shteteve tona në fushën e turizmit, vijoi ajo, duke përmendur takimin e dy ministrave të Jashtëm para dy viteve, ku u nënshkrua memorandumi për lehtësimin e procedurave në marrjen e vizave midis dy vendeve. Kjo, sipas Ambasadores, ka rritur më tej shkëmbimet njerëzore midis vendeve tona.
Më tej, Ambasadorja foli për punën e nisur mes operatorëve turistik dhe konsultimet me palën shqiptare që shtetasit kinezë mund të qëndrojnë pa viza deri 90 ditë (1 prill deri në 31 tetor).
Ambasadorja tha se, duhen njoftuar zyrat e kompanive të fluturimit që janë në Kinë për politikat e heqjes së vizave për turistët kinezë që hyjnë në Shqipëri.
Po kështu, pala shqiptare të marrë masa për kalimet në pikat kufitare dhe atë të Rinasit.
“Këto janë disa nga çështjet që po negociohen me palën shqiptare dhe shpresojmë që së shpejti të konsiderohen të zgjidhura në marrëveshjen tonë”, tha Ambasadorja Jiang Yu.(atsh)