FATOS BAXHAKU
Pas vdekjes së Ismail Qemalit askush nuk e vuri në dyshim se ai duhej të varrosej në Kaninë. Ishte e vërtetë, ai vinte nga familja Vloraj, por deri në fillim të shekullit XX, familja e vjetër fisnike, që ishte zhvendosur ndërkohë poshtë në qytet, e konsideronte si “shtëpinë e vjetër” Kaninën, kështjellën e vjetër që vigjilon mbi Gjirin e Vlorës.
Një histori e lashtë
Disa gurë të palatuar që u gjetën dikur në themelet e një kulle në kala kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Kanina ka qenë e banuar që në kohë antike, porse emri i saj nuk del gjëkundi.
Në këtë zonë përmendet Aulona, Orikumi dhe Amantia si qytete antike. Kanina përmendet për herë të parë në shekullin X.
Ajo përmendet në disa dekrete perandorake bizantine, madje edhe në eposin e njohur francez të Rolandit. Kështjella ishte e vogël, në qendër të saj ishte ndërtuar edhe një kishë që i qe kushtuar Shën Mërisë. Me kalimin e kohës Kanina u bë qendra e një zone të gjerë që zbriste deri poshtë në Aulonën e vjetër. E mbrojtur nga sulmet e piratëve dhe lakmitarëve, kështjella u jepte siguri banorëve të saj dhe të zonave përreth. Në 1018 Kanina ishte seli e një arkimandriti dhe bënte pjesë ende në ipeshkëvinë e Orikumit. Në prill të 1081-it normanët, e komanduar nga Boemundi ia hoqën nga zotërimi perandorit Aleks I. Që këtej ata u shtrinë deri në Sarandë, Butrint dhe në zonën e Lumit të Vlorës. Vetë prijësi norman, Robert Guiskardi, u mor me fortifikimin e kalasë dhe me ndërtime të tjera shtesë. Sundimi norman nuk zgjati shumë në anët e Kaninës. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Si valët që përthyhen mbi buzëdet, që venë e vijnë, ashtu erdhi dhe iku ky pushtim i huaj”.
Që nga 1204 Kanina, nisi të bëjë pjesë në Despotatin e Epirit. Andej nga mesi i shekullit të XIII vajza e despotit të Epirit, Elena, u martua me Mafred Hohenshtaufen, Mbret i Napolit. Kanina ishte pjesë e pajës e ndaj në kala mbërriti një kapiten nga Napoli, që asokohe quhej “castellan”. Ky “castellan” quhej Jacques de Baligny. Kur Karli Anzhi zuri vendin e Manfredit në oborrin mbretëror të Napolit ky duhej të dorëzonte çelësat e kështjellës, porse Jacques në Kaninë na paska qëlluar kokëfortë. Kështu që fisniku nga larg qëndroi edhe për tre vjet të tjera në kështjellë. Shkruan Eqrem bej Vlora: “Në kalanë e Kaninës, pas Jaques de Baligny u emëruan edhe shtatë kastelanë të tjerë që qeverisën vendin në namë të anxhovinëve që në vitin 1284. Mbas kësaj date punët e mbretit të Napolit në Vlorë e në rrethin e saj filluan të keqësohen edhe nuk sundoi dot më zyrtarisht ndonjë kastelan në Kaninë”.
Kur perandori bizantin, Androniku II (1296-1341) ribashkoi Despotatin e Epirit me perandorinë, Kanina iu kthye sundimit bizantin. Ndërkohë, shkruhet se vendi nuk ishte më ai fshati i harruar i dikurshëm. Kishte një popullsi prej 7000 shtëpish dhe gjashtë apo shtatë kisha. Në 1345-n serbët e Car Stefan Dushanit pushtuan Vlorën dhe Kaninën. Ky sundim do të vazhdonte, me ndonjë ndërprerje deri në 19 qershor të 1417-s. Në këtë ditë një trupë e vogël osmane, e komanduar nga Hamza bej Evrenozi hyri në kështjellën e vjetër. Dy ditë më parë kishte pushtuar Vlorën. Kur turqit hynë në kështjellë e gjetën atë të braktisur. Banorët ishin larguar së bashkë me Rugjinën, sundimtaren e fundit vendase. Gjatë gjithë periudhës deri në pushtimin e plotë të Shqipërisë Kanina u shndërrua në një bazë të rëndësishme ushtarake osmane, megjithëse edhe këtu sundimi kalonte herë në dorë të osmanëve e herë në dorë të kryengritësve vendas. Pikërisht në Kaninë ishte qendra e sanxhakut të Vlorës. Në 1479 u emërua si sanxhakbej një nga figurat më të njohura të mesjetës osmane: Xhedik Ahmed Pasha. Ky i nisi nga Kanina ekspeditat e tij drejt brigjeve përballë që shkuan që nga Otranto e deri në Leçe. Kur Mehmeti II, i quajturi “Fitimtari”, dha shpirt atëherë vendin e tij e zuri i biri, Bajaziti II. Ky kishte prej kohësh armiqësi me Xhedik Ahmet pashën. Në 1482 pashai i famshëm dhe i biri u vranë në afërsi të Durrësit. Sipas Eqrem bej Vlorës varret e të dyve deri në 1939 ishin ende në një varrezë të vjetër në Durrës. Në 1485 Bajaziti I emëroi si sundimtar në Vlorë e Kaninë dhëndrin e tij, Gjegju Sinan Pashën, i cili ishte njëkohësisht edhe admiral i flotës turke në Adriatik, dhe këtu nis të hyjë në lojë familja e Vlorajve, prej nga doli “plaku i Pavarësisë”, Ismail Qemali.
Nga legjenda te e vërteta
Një gjenealogji të familjes Vlora ka lënë pas vetë Eqrem beu, pinjoll i shquar i saj, në kujtimet e tij të botuara së pari në gjermanisht. Eqrem beu na transmeton një legjendë të përhapur në shekullin XIX sipas së cilës i pari i familjes Vlora vinte nga Kanina. Ai ishte një djalë i krishterë, i cili u shndërrua në mysliman në kohën kur turqit pushtuan Kaninën. Sipas legjendës, djali mori emrin Mehmet bin Abdullah.
Eqrem beu vë buzën në gaz me ironi kur kujton se të parët e tij i mëshonin fort versionit të prejardhjes anadollake nga Gjegju Sinan Pasha. “Kështu e kërkonte asokohe politika dhe moda – shkruan ai – sepse nuk ishte aspak e hijshme që një ‘derë’, e cila për katër shekuj me radhë kishte qenë mëkëmbëse e sulltanit në vend, ta ketë prejardhjen prej një të krishteri të rëndomtë e të panjohur nga malet e Labërisë”.
Prejardhja në të cilën vetë Eqrem beu duket se beson vërtet është kjo: “Burime turke tregojnë se në vitin 1422, korsarë dalmatinë kapën në Adriatik një anije, me të cilën po udhëtonin për të marrë pjesë në një ceremoni martese në Italinë e Jugut, një djalosh me të motrën. Këta të rinj u nxorën në tregun e Vlorës ku u blenë prej kështjellarit (dizdarit) të Kaninës, Mehmet bin Abdullah, i cili i ktheu në fenë islame dhe u dha emrat Ahmet dhe Aishe. Kështjellari, Ahmetin e ri ia çoi si dhuratë vezirit të madh, Isak Pashës (që kishte si kumbar shqiptarin Pasha Jijit), ndërsa vajzën e mori vetë për grua. Nga kjo martesë duhet të ketë lindur Gegju Sinan Pasha. Fakti që në 1501 ai ndërtoi një teqe (bektashiane) dhe për vete një seli në kala (1498), e cila ka qenë në këmbë deri para 50 vjetësh, mund të ishte një dëshmi se ai kishte lindur në Kaninë. Sinan Pasha mbeti i vrarë në një betejë detare midis flotës turke dhe një flote armike (mbase napoletane apo veneciane), që kishte depërtuar në Gjirin e Vlorës më 26 prill 1503 dhe u varros në një tyrbe të vogël në oborrin e teqesë së ndërtuar prej atij vetë. Pas vdekjes së tij sanxhakbej u emërua i biri, Mehmet beu, por në vitin 1515, me urdhër të vezirit të madh, Ajaz Pashës (edhe ky vlonjat), shkarkohet ‘për paaftësi’. Pas tij, si mëkëmbës i sulltanit, erdhi i vëllai, Hysen beu. Por edhe ky ra gjatë rrethimit të Rodosit (1522). Me lutjen e popullsisë, si sanxhakbej (1524) u emërua përsëri Mehmet beu, që jetonte në çifligun e tij të vogël në Qishbardhë. Pas vdekjes së Mehmetit (ai u varros në anën e djathtë, në tyrben e të atit) erdhi i biri, Kara Sinan Pasha (1538), për shpirtmadhësinë e të cilit shkruajnë aq shumë kronikat e kohës. Pas Kara Sinan pashës deri në 1828 (sanxhakbej Sulejman pasha) ne gjejmë pothuaj pa ndërprerje 18 anëtarë të kësaj shtëpie në ofiqin e mëkëmbësit të Sulltanit në Vlorë…”.
(Për këtë shkrim u cituan të dhëna nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001; Eqrem bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera, Koçi, Tiranë 2004).