Kantautori i njohur Françesk Radi është përkujtuar në përvjetorin e ndarjes nga jeta nga miqtë, të afërmit dhe dashamirës të muzikës së tij.
Në kujtim të këngëtarit është vendosur busti i tij pranë kodrave të Liqenit Artificial, vendi ku krijoi meloditë e parë me kitarën e pandashme.
Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në nder të kantautorit ishte bashkëshortja e tij Tefta Radi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Tefta Radi u shpreh se bashkëshorti i saj do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, që solli risinë në muzikën shqiptare.
Tefta Radi:“Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion. Është një kujtim vërtet i bukur, faleminderit Bashkisë së Tiranës, faleminderit z. Veliaj për gatishmërinë. Është një mrekulli”
Kryebashkiaku Veliaj tha se përmes tingujve dhe teksteve të tij, Françesku ishte burim frymëzimi për shumë të rinj.
Erjon Veliaj:“Franko ka ndryshuar shumë jetë njerëzish, ka prekur shumë individë e ka frymëzuar shumë të rinj. Për shumë njerëz ai ka qenë edhe arsye mbijetese në një situatë shumë të vështirë, ku fjala e lirë, muzika, opinioni, bindjet e lira kanë qenë sfidë për Shqipërinë.
Vetëm ata që janë trima të vërtetë marrin guximin të sfidojnë në momentet më të vështira status-quon, realitetin, gjërat që ndodhin, të provokojnë një debat, atëherë kur të bëje një gjë të tillë, të kushtonte jetën. Ai i kushtoi vitet më të bukura të jetës, e megjithatë detyra e gjeneratës sonë, e një brezi të ri që merr stafetën nga një gjeneratë tjetër, është të mos harrojë dhe të kujtojë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se busti i artistit të njohur në Parkun e Liqenit do të shërbejë edhe si një nxitje për sjelljen qytetare.
Erjon Veliaj: “Jam shumë i lumtur që ky ‘xhevahir’, ashtu siç ishte në të gjallë, është sot një stoli për Parkun madh të Tiranës, sepse Franko mbillte përditë qytetari.”
Më pas, familjarët mbollën edhe disa pemë pranë bustit, në nderim të figurës së kantautorit, i cili njihet ndryshe edhe si këngëtari i liqenit.