Të gjithë ata qytetarë që përmbushin kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë për bashkim familjar në Itali.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj tregon për pesë kategoritë që mund të përfitojnë qëndrim në Itali, falë bashkimit me familjarët e tyre që jetojnë në këtë shtet.
Më tej ajo sqaron për të gjithë të interesuarit dokumentacionin që duhet dorëzuar, bazuar në tipologjitë e bashkimit familjar dhe thekson se paraqitja e dokumentacionit të kërkuar nuk sjell domosdoshmërish lëshimin e vizës.
Cilat janë kriteret për të përfituar bashkim familjar në Itali?
Në bazë të normativës në fuqi, kategoritë e mëposhtme të familjarëve mund të kërkojnë bashkim familjar me qytetarë shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Specifikisht bëhet fjalë për këto kategori: bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë jo më pak se 18 vjeç; fëmijë të mitur, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin e tij; si dhe fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë. Gjithashtu, kanë të drejtë të kërkojnë bashkim familjar edhe prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmije të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes; si dhe prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara).
Cili është dokumentacioni që nevojitet?
Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar përfshin: formularin e kërkesës për vizë (duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit, (ose kujdestari) pranë Kancelarisë Konsullore); pasaporta e vlefshme (skandenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet); një fotokopje e pasaportës; 2 fotografi të kohëve të fundit të formatit teser; një certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar përkatësinë territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës). Gjithashtu, duhet dhe një fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme e qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Në rast se është e skaduar duhen paraqitur 3 faturat e pagesës për kërkesën për rinovim; dhe një fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin (SUI). Por ka raste që duhen edhe dokumente shtesë.G.SH