Protesta e dhunshme në Rrugën e Kombit solli zjarr, përplasje dhe rrënim të qeverisë. 14 policë dhe shumë protestues të plagosur. “Rruga e Kombit” është e para rrugë me pagesë në Shqipëri .
Protestuesit në Kukës qëlluan me gurë dhe u vunë sporteleve flakën
Vendosja nga qeveria Rama e taksës për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit” , që lidh Shqipërinë me Kosovën, është pritur me një protestë të paralajmëruar nga banorët e qytetit verior të Kukësit, ku ndodhet edhe Morina, pika kufitare mes dy vendeve fqinjë.
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se banorë nga Kukësi dhe rrethinat e tij protestuan të shtunën ( 31.03. 2018) pranë tunelit të Kalimashit, ku janë ngritur sportelet për marrjen e kesaj takes.
Protesta e nisur paqësisht dhe me lejen e policisë doli jashtë kontrollit. Protestuesit u përleshën me policinë, qëlluan me gurë efektivat e saj, që formuan një kordon për të mos lejuar shkatërrimin e sporteleve, përdorën leva dhe mjete të tjera të rënda dhe arritën të thyejnë xhamat, shkatërrojnë sportelet, kompjuterat e vendosura brenda tyre dhe t’u vunë sporteleve flakën.
Më parë policia kishte bllokuar mbrritjen e autobuzëve nga Kosova për t’iu bashkuar protestuesve kuksianë. Në orët e para të pasdites mes protestuesve dhe përfaqësuesve të qeverisë Rama . Qarkullim i automjeteve në të dyja anët e kufirit Shqipëri- Kosovë rinisi pas më shumë se 4 orësh ndalimi.
Sportelet dhe investimi për infrastrukturën e duhur teknike për marrjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit” është bërë nga një kompani ndërkombëtare që ka marrë për 30 vjet me koncesion mirëmbajtjen e kësaj rruge dhe do të mbledhë taksat e kalimit të automjejteve.
Rama: Dhuna kundër pronës dhe policisë do të dënohet
Kryeministri Rama reagoi ndaj protestës së dhunshmë të banorëve të Kukësit duke theksuar se “Dhuna kundër pronës dhe policisë do të dënohet”. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, doli në një konferencë shtypi pas përfundimit të protestës dhe tha se gjatë përleshjes së protestuesve me policinë janë plagosur 14 efektiva të policisë dhe tre protestues.
“Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mund të justifikojë në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë sulmin kundër punonjësve të policisë së shtetit dhe shkatërrimin e pronës” theksoi ai .
Ministri Xhafaj theksoi se “Policia e shtetit, në zbatim të ligjit do të ketë një përgjigje të ashpër për këdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe që kanë shkaktuar dëm të rëndë ndaj pronës publike dhe private.”
Kreu i opozitës, Basha i kërkoi kryeministrit Rama ta “pezullojë menjëherë pagesën e tarifës për automjetet që kalojnë në ” Rrugën e Kombit”.
“Kjo është tarifa më e lartë në rajon dhe është ndëshkim për një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë” tha Basha në një deklaratë për mediat.
Tarifa e kalimit e lartë për banorët e varfër të Kukësit
Tarifa e kalimit në “Rrugën e Kombit” e njohur ndryshe edhe si autostrada Durrës- Kukës nuk paguhet për të gjithë gjatësinë e saj prej 170 km por vetëm nga automjete që qarkullojnë në segmentin Milot- Morinë prej 118 km. Tarifa, që do të paguhet pranë tunelit tëKalimashit është 2,5 euro për motorët, 5 euro për auto-veturat, dhe 22,5 euro për kamionë me tonazh të madh. Tarifat e mësipërme dyfishohen pasi ato paguhen në hyrje dhe në dalje të Shqipërisë. Për banorët e Kukësit dhe ata pranë kufirit në Kosovë që hyjnë dhe dalin shpesh në dy anët e kufitrit tarifat e mësipërme janë të larta. Një konsorcium i përbërë nga kompani vendase do të mirëmbajë segmentin Milot-Morinë, ndërsa pjesa tjetër e autostradës do të mirëmbahet nga buxheti i shtetit.