Loading...

Shkrihet Gjykata e Krimeve të Rënda, dosjet “VIP” shpërndahen në gjykatat e rretheve

Nga Anila HOXHA

Pas diskutimeve dhe rezervave se çfarë do të arrinte Gjykata e Krimeve të Rënda, më në fund palët ranë dakord dhe e kaluan ligjin për organizimin dhe krijimin e kësaj gjykate. Në korrik 2003 presidenti Alfred Moisiu e dekretoi ligjin duke pohuar në këtë mënyrë se Gjykata e Krimeve të Rënda (ashtu siç shpresohej) do të shikohej në vazhdim si e vetmja mënyrë për t’ju kundërpërgjigjur krimit të organizuar dhe trafiqeve, madje edhe grabitjeve me dhunë të kryera nga grupet kriminale. Aso kohe, siç kërkonte ligji, duhej t’i nënshtroheshin kontrollit të gjithë ata që do të garonin për të qenë gjyqtarë e prokurorë të krimeve të rënda. Paraqitën kandidaturat 108 gjyqtarë të rretheve gjyqësore dhe nga kryeqyteti , të cilët duhet të plotësonin kushtin e kartelës së bardhë: Pra, asnjë masë disiplinore në karrierën tyre, rekorde të mira në vendimmarrje, figurë të paqortueshme. Pikërisht në këtë pikë hynte edhe kontrolli që kreu ndaj tyre Shërbimi Informativ dhe DSIK. Gjashtë muaj pas kësaj, në dhjetor 2003, pasi ishin konsideruar nga kjo sitje si të përzgjedhurit 27 prej tyre, presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu konfirmoi me dekret si kalues “të vettingut” për gjyqtarë të krimeve të rënda vetëm gjashtë . I njëjti kriter i fortë, u tha se u ndoq edhe nga kryeprokurori Theodhori Sollaku për prokurorët që do të përfaqësonin akuzën e shtetit në gjykatën e re. Siç caktonte ligji, Gjykata e Krimeve të Rënda do të gjykonte 32 vepra penale që nga gjenocidi deri tek bandat e organizatat kriminale. Megjithëse, zyrtarisht njihet si dita e lindjes së kësaj gjykate data 1 janar 2004, në praktikë gjyqtarët e Krimeve të Rënda dolën në seancën e parë në datën 10 shkurt 2004, në procesin për një ngjarje që tronditi vendin, atë të vrasjes së komisarit Gani Malushi. Pas kaq viteve, sot kjo gjykatë gjendet në udhëkryqin më të madh. A po zhvillohen aktualisht gjyqe në këtë godinë nga ata gjyqtarë që për 14 vite i ranë çekiçit si të tillë, apo po gjykojnë si gjyqtarë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo e dyta , është gjykata që pritet të lindë si krijesa më e re e reformës në drejtësi. Nga 10 shkurti 2004 kur u hap procesi për vrasjen e Malushit, tashmë Apeli për Krimet e Rënda (me trupë të marrë hua në rrethe) ka dilemën a duhet ta gjykojë apo jo procesin ndaj Dritan Dajtit, apo të shpallë mos kompetencën dhe t’ia dërgojë një gjykate të zakonshme në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë me numër 140, datë 16 mars 2018.

Vendimi

Gjykimi i Erblin Tukës dhe Erjon Jovanit tek Krimet e Rënda për trafik droge të mbetur në tentativë hapi lojën mes Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Durrësit, aty ku të rinjtë ishin arrestuar tek po transportonin drejt Italisë 190 kg cannabis. Nga 21 dhjetori deri në 4 janar 2018, Gjykata e Krimeve shpalli mos kompetencën, pasi, sipas saj, në lexim të ligjeve të reja vepra e trafikut të drogës tashmë nuk duhet të gjykohet më prej saj, por prej një gjykate të zakonshme. Por, Gjykata e Durrësit çmoi se, një dispozitë kalimtare ia jep kompetencat ekzistuese Krimeve të Rënda, deri sa të ngrihet Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Çështja përfundoi në dorën e gjyqtarëve të lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Tre gjyqtarët e lartë Artan Zeneli, Tom Ndreca dhe Edmond Ismalaj “e zgjidhën” ngërçin në dukje, duke urdhëruar se çdo çështje nën hetim dhe gjykim tek Krimet e Rënda, por që nuk janë kompetencë e GJKKO, do të gjykohen nga gjykatat e zakonshme. Për rrjedhojë, thuhet më tej, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë vetëm veprat që janë kompetencë e kësaj gjykate. Por ky vendim nuk është me pesë gjyqtarë, dhe dilema e parë është: a është ai një vendim unifikues, apo njehsues. Pikëpyetja e dytë është: Për sa kohë në vendimin e zbardhur nuk jepen afate para, apo pas 1 gushtit, a do të sjellë kjo prishje të vendimeve të dhëna nga Krimet e Rënda. Si për shembull: tashmë që u dënua grupi i zjarrit për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, a do të shkojë dosja e Lazarati për t’u gjykuar si çështje e thjeshtë në Gjirokastër, ose i akuzuari Denis Shtraza a shkon në Durrës? Shanset janë që po. Në këtë paqartësi lëvizja e radhës i takon Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka dorëzuar një dosje me katër të arrestuar për një ton drogë në portin e Durrësit. Testi sërish i përket Gjykatës së Lartë, e cila do të mblidhet këtë javë për të shqyrtuar kërkesën për Albert Dokun e të tjerë, nën akuzë për trafik droge. Ajo duhet të ri-shprehet për kompetencat në mënyrë më të qartë. Ajo që gjyqtarë e prokurorë kanë të qartë është se dosje si ai i 613 kilogramëve kokainë, grupi Habilaj e të tjerë, janë kompetencë e Krimeve të Rënda, pra e GJKKO (nëse do ishte ngritur ), për sa kohë janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Këto dosje, bashkë me çështjen “Emiliano Shullazi” do të vazhdojnë të hetohen e gjykohen sipas kompetencave të reja të GJKKO. Të tjerat, sikurse bllokimi i një skafi në Gjirin e Lalzit, ka kaluar në heshtje në një gjykatë të zakonshme, siç do të kalojnë edhe ata kultivues hashashi që nuk janë pjesë e një grupi kriminal, vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi, Sadtin Sula, Marjan Levanti dhe të gjithë ata gjobëvënës.

Dilemat

Por kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, shikon si problemin më të madh, e gjithashtu, edhe dilemën më të madhe, dispozitën kalimtare në Kodin e Procedurës Penale që do të shkaktojë në rrëmujë të vërtetë (dispozitë kalimtare e shtuar me ligjin 35/2017 datë 30.3.2017). Sandër Simoni thotë se “problemi më i madh është nëse kjo dispozitë tranzitore e KPP, a mund të interpretohet e ndarë, ndryshe për Prokurorinë e ndryshe për Gjykatën e Krimeve të Rënda? Dispozita tranzitore e Kodit të Procedurës Penale ka dy parashikime që nuk përkojnë me njëra tjetrën. Me dy parashikime të ndryshme. Për sa i përket kompetencës për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dispozita është e qartë dhe referon në komptencën përpara ndryshimeve të nenit 75/ a, ndërsa paragrafi i kompetencës lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, duket se ka lënë pa përmendur dhe pa saktësuar këtë fakt. Deri më tani, nga ana jonë ky paragraf është interpretuar në favor të frymës së dispozitës kalimtare”.

Por thënë më thjesht: Neni 285 i dispozitës kalimtare penale është aq i paqartë, sa lë të kuptosh se Gjykata e Krimeve të Rënda duhet të gjykojë me kompetencat që do të ketë GJKKO, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda të hetojë me kompetencat që ka pasur deri sa të ngrihet SPAK. Mirëpo a mundet që ligji të parashikojë ndryshe për gjykatën e prokurorinë, sepse ngërçi tjetër që hapet është kush do t’i gjykojë veprat që heton Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëse de facto është ngritur GJKKO?

300 ditët

Me paketën e re, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokuroria nuk duhet të ekzistonte më që prej 1 shtatorit 2017, pra ligji i 2003 i funksionimit të tyre duhej të shfuqizohej mesnatën e 300, nga hyrja në fuqi e ligjit për institucionet e reja që shpresohet të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por gjykata e re, si edhe SPAK-u, po lindin me vonesë, sepse ligji tjetër, ai i vettingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u zbatua në kohë. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Krimeve të Rënda u ka ngelur nga ligji i vjetër vetëm emri. Tashmë dosje të tjera po vërshojnë nga rrethet për tenderat, megjithëse ajo vazhdon të jetë në kufirin minimal të gjykimit të korrupsionit me vetëm katër çështje. Kur u hodh lopata e parë me dhé për ndërtimin e godinës së qelqtë, (aty ku më herët kishte qenë reparti i Reneas) ishin entuziastë në këtë ceremoni, ministri i drejtësisë së asaj kohe Ilir Rusmaili, ambasadori Helmut Lohan dhe drejtori për zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Lee. Nga ajo kohë, shumë ujë ka rrjedhur. Nga një histori suksesi, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokuroria u kthyen vitet e fundit në depozita të hetimit e gjykimit të dosjeve të kultivuesve te hashashit, adoleshentëve, e ish partnerëve, që gjobisnin njëri-tjetrin dhe vrasësve në familje. Shumë larg mesazhit të përçuar nga kjo godinë kur dënoheshin grupe si ajo e Lushnjës, e Cërrikut, apo e Durrësit.

Autorja është GAZETARE për çështjet e gjyqësorit dhe shkrimi është botuar në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com