Futbolli shqiptar ka marrë dje një nga goditjet më të rënda. Komisioni i Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA vendosi përjashtimin për 10 vite të ekipit të “Skënderbeut” nga kupat e Europës. Gjithashtu, institucioni i futbollit europian caktoi dhe gjobën prej 1 milion eurosh si masë penalizuese për ekipin korçar. Vendimi vjen pas një raporti të inspektorëve të UEFA, i cili akuzonte ekipin për trukimin e rreth 50 ndeshjeve në periudha të ndryshme. Në vendimin e Komisionit të Disiplinës në UEFA citohen vetëm 4 ndeshje që kanë sjellë penalizmin. Sipas vendimit, të katërta ndeshjet që u morën për bazë nuk kanë qenë në kampionatin shqiptar, por në Europa League. Ndaj dhe vendimi ka qenë për përjashtim nga ndeshjet në kampionatet evropiane.
“Skënderbeu” nuk është thjesht një ekip më shumë në kampionatin shqiptar, por një skuadër me histori. Fillesat e ekipit janë në vitin 1909 të shekullit të kaluar duke u bërë një nga skuadrat e para profesioniste të futbollit në Shqipëri. Por më shumë se kaq, emri skuadrës lidhet dhe me emrin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu duke u kthyer kështu jo vetëm në një ekip me tifozë lokalë, por kombëtare. Me vendimin që ka marrë dje UEFA për përjashtimin nga kampionatet evropiane, praktikisht ekipi është shkrirë në sensin e përballjeve ndërkombëtare. Efekti i vendimit do të ndikojë edhe në renditjen e ekipit në kampionati shqiptar. Ironia e kësaj stuhie kundër ekipit sportiv “Skënderbeu” është se shkrirja e tij ndodh pikërisht në Vitin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, pjesë e krenarisë ishte dhe ekipi që është shpallur disa herë kampion në Shqipëri dhe ka debutuar me sukses ne Europa League.
Lajmi për përjashtimin e ekipit nga kampionatet ndërkombëtare ka shokuar tifozët dhe admiruesit e futbollit. Në një deklaratë zyrtare drejtuesit e ekipit konfirmuan dje dënimin, por lanë të hapur mundësinë e një fitoreje në shkallët e tjera të gjykatave të futbollit. Dy janë mundësitë e ekipit për të rrëzuar vendimin dhe kthyer dinjitetin e futbollit korçar dhe atij shqiptar. Mundësia e parë është ankesa në CAS (Gjykata e Arbitrazhit për Sport). Në rast se dhe këtu vendimi nuk do të ndryshojë, mundësia e fundit është Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane, e cila vlerëson vetëm për procedurën e ndjekur në gjykim, por jo themelin e çështjes. Në rastin më të mirë, Skënderbeu mund të ketë vetëm ulje të ndjeshme të penalitetit. Ndërsa vlera monetare pritet të jetë disa herë më e madhe se 1 milionë euro gjobë. Vetëm gjatë pjesëmarrjes në kompeticionet euriopiane gjatë viteve të fundit, ekipi i “Skënderbeut” fitoi rreth 6 milionë euro.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar dje për vendimin. FSHF thekson se vendimi është i apelueshëm, por në fund do të mbështetet çdo vendim që ka të bëjë me integritetin e lojës së futbollit. “Ky vendim është i apelueshëm. FSHF e konsideron këtë një lajm të keq për futbollin shqiptar, megjithëse ky nuk është një vendim përfundimtar, pasi do të kalojë edhe në shkallë të tjera të gjykimit. FSHF mbështet çdo vendim që i shërben integritetit të lojës dhe Fair-Play-t!”,- thuhet në deklaratën e FSHF.
Pavarësisht se cili do të jetë vendimi në shkallet e tjera të apelimit fakti është se ekipi me shkëlqimin më të madh gjatë viteve të fundit ka një akuzë të rëndë për shitje dhe blerje ndeshjes që bën pis gjithë futbollin shqiptar. Asnjë nuk dëshiron të jenë të verteta akuzat, por shpresat janë të vogla në apelim.
Një “Skenderbe” që dënohet në vitin e SKENDERBEUT!
A.M.