Loading...

Gati fletë-arrestet për ish-kryeprokurorin Llalla dhe financierin e PD

Dosja Basha për lobimin në SHBA me paratë e një kompanie ruse, siç akuzon një revistë amerikane dhe PS-ja, po merr rrjedhë të rrezikshme për selinë blu. Eshtë thirrur për të dëshmuar në Prokurori, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. U thirr prapë financieri i PD-së i cili ka bërë kalimet financiare dhe deklarimet në KQZ. Ilir Dervishi, financier në PD, ka dëshmuar para prokurorit Gjergji Tako si dhe iu përgjigj prapë pyetjeve për dollarët paguar për llogari të PD-së nga një kompani e akuzuar me prapavijë ruse. Financieri deklaroi se gjithçka është në rregull konform ligjit, por dyshimet e prokurorisë mbeten se përse nuk u deklaruan afro 500 mijë dollarë, lobim i PD nga kompania e cila dyshohet si financim rus.

Edhe në parlament kryeministri Rama e sulmoi kryetarin e PD-së për këtë hetim duke aluduar se nuk e keni vetëm me ligjin shqiptar problemin, por edhe me amerikanët për paratë ruse, sipas Ramës. Burime shumë koifidenciale nga prokuroria tregojnë se fletë arresti për financierin e PD-së është bërë gati në tavolinën e prokurorit Gjergji Tako.

Po kështu prokuroria e Durrësit po heton rreth akuzave për pasuritë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, akuzuar nga DAP dhe në veçanti nga ambasadori amerikan, si i korruptuar. Akuzat ndaj ish-kryeprokurorit janë deleguar për t’u hetuar prokurorisë së Durrësit, e cila po heton intensivisht. Plot dosje dhe dokumenta janë në tavolinën e prokurorit në Durrës, prokurori e cila po shqyrton momentin kur do të firmos fletë-arrestin për Adriatik Llallën.

Ish-kryeprokurori Llalla ka patur një konflikt të madh e publik me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu për dosjen e një hetimi të kompanie amerikane. Dosja hetohej asokohe nga prokuroria e Fierit dhe të mos harrojmë se në atë viti prokuroria ishte organ i centralizuar. Sot me ndryshimet kushtetuese, ligjërisht, çdo prokuror është një “kryeprokuror” në vetvete, sepse nuk merr urdhëra nga shefi, por vendos sipas bindjes së tij bazuar në dosje, pra thënë me bukur në bazë të ligjit dhe Kushtetutës.

Opozita akuzon se sulmet janë politike, sidomos për PD-në në rastin e lobimit në SHBA.

Megjithatë dy prokurorët, në Tiranë dhe Durrës, kanë gati për firmë dy fletëarreste. Vonesa  për ekzekutim të vendimit prej tyre duket se ka prapë lidhje me politikën, gjë që do të thotë se akoma politika fut hundët në prokurori.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com