Flamuri kuqezi u valvit fuqishëm në Rumani, aty ku Briken Çalja u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje. Ai shkëlqeu në turneun që po zhvillohet në Bukuresht. Me ar e mbuloi Shqipërinë, plot 3 medalje të arta vijnë për vendin vetëm nga sportisti Çalja, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë.
Pas garës së tij të jashtëzakonshme, edhe pse tejet i emocionuar, ai tha se ky sukses shkon për familjen miqtë dhe shqiptarët. “Jam shumë i lumtur. Suksesin ia dedikoj familjes, miqëve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Çalja.
Shtangisti nga Elbasani e nisi në mënyrë të shkëlqyer garën e tij rumune pasi fillimisht pati sukses në 141 kilogramë, pesha më e madhe të cilën nuk e tentoi asnjë në provën e parë. Çalja e përmirësoi bilancin edhe pse ishte i pari në renditje, duke ngritur 143 kilogramë në tentativën e dytë në pedanë. Por ajo që bëri sallën të shpërthejë në ovacione ishte ngritja e 146 kilogramëve në provën e tretë.
Briken Çalja e nisi i avantazhuar edhe garën në shtytje me 171 kilogramë mbi supe. Ai tentoi edhe më shumë, por dështoi fillimisht në provën me 175, që gjithsesi nuk ia cënuan titullin pasi realizoi objektivin pak minuta më vonë, duke festuar përkundër rregullave me flamurin kuqezi në pedanë. 146 kg në shkëputje 175 kg në shtytjes, ndërsa në total 321 kg.