Në Shqipëri ende nuk i është dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë, të cilët kanë abuzuar në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Rasti më konkret është në dënimin që është dhënë ndaj gjithë personave që kanë përfituar përmes abuzimit me tokat në qarkun e Vlorës. Ku dënohen nivelet e ulta të administratës që kanë abuzuar, ndërkohë që deputetë, ministra e ish ministra dhe akoma më lart kryeministra e ish kryeministra apo vetë Presidenti shpëtojnë pa asnjë ferrë në këmbë.
Bëhet fjalë këtë radhë për “delfinin” e Edi Ramës, deputetin e PS Fidel Ylli i cili rrëmben 90 hektarë tokë në Karaburun, dhe pavarësisht se sekuestrohet toka, ligjvënësi socialist i shpëton burgut.
Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka dënuar me 43 vite burg 4 ish zyrtarët e Bashkisë dhe Hipotekës së Vlorës.
Katër ish zyrtarët u dënuan pasi u akuzuan për tjetërsimin e një toke prej 220 hektarësh, në Karaburun. Dy ditë më parë, Gjykata e Vlorës ka dhënë 18 vite burg për Raimond Mezin, i cili ka përfituar tokën me dokumente të falsifikuara në Karaburun dhe Zvërnec, ndërsa prokuroria kishte kërkuar për të 21 vite burg.
Për shtetasin Lefter Gjergji, përfitues i 33 ha tokë në zonën e Palasës, gjykata ka dhënë 16 vite burg nga 19 vite që kishte kërkuar prokuroria.
Me burg janë dënuar dhe zyrtarët e Hipotekës së Vlorës e Bashkisë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me dy përfituesit kanë kryer edhe falsifikimin e dokumenteve.
Blerina Dhrami, ish punonjëse e Hipotekës Vlorë është dënuar me 6 vjet burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 11 vite.
Donika Besimaj, ish arshiviste në Bashkinë e Vlorës është dënuar me 3 vite burg, me akuzën për shpërdorim detyre e shkeljen e të drejtës së funksionit publik.
Ndërkohë është shpallur i pafajshëm shtetasi Enkes Hysendhima që ishte avokat i Rajmond Mezit, përfitues i sipërfaqes më të madhe të tokës në bregdet.
Për pafajësinë e avokatit mbrojtja dha si argument që abuzimet janë kryer në vitin 2012, ndërsa avokati Hysen Dhima ka mbrojtur interesat e Mezit, pas vitit 2014, pra dy vite pasi kanë ndodhur abuzimet.
Hetimet për tjetërsim nisën në vitin 2016, ndërsa në gjykatë çështja u regjistrua në 24 korrik të vitit 2017.
Në atë kohë gjykata përcaktoi arrest shtëpie për shtetasin Rajmond Mezi, Lefter Gjergjin dhe Donika Besimajn, ndërsa Blerina Dhrami mbetet ende në kërkim. Asnjë politikan nuk u dënua.
Deputetit të PS Fidel Ylli i sekuestrohen 90 hektarë tokë në Karaburun, shpëton pa burg
Mbyllja e dosjes nga prokuroria e Vlorës për grabitjen me anë të falsifikimit të pronave shtetërore në Karaburun, përfshiu dhe deputetin e PS Fidel Ylli.
Ky i fundit sipas prokurorisë ka blerë rreth 90 hektarë tokë të falsifikuar përmes dokumenteve.
Pas hetimeve sipas prokurorisë nuk është provuar që zoti Ylli të jetë i përfshirë në aferën e falsifikimit. Edhe pse ka shumë pikëpyetje lidhur me mënyrën e përfshirjes së tij në këtë transaksion, prokuroria është e mendimit se deputeti Ylli është jashtë kësaj afere.
Por lind pyetja: Nuk e dinte deputeti që 90 hektarë në Karaburun kishin një vlerë më të lartë se 180 mijë euro?! S’dihet se çfarë e lidh zotin Fidel Ylli, deputet i PS në Kuvend me falsifikatorë të këtyre përmasave të pronës publike.
Fidel Ylli është një tjetër emër publik që ka blerë tokë nga Rajmond Mëzi për të cilin prokuroria ka kërkuar 21 vite heqje lirie por që dy ditë më parë u dënua me 18 vjet heqje lirie.
Kompania e Fidel Yllit, ”House of Arts”, së bashku me kompaninë ”Digital Networks” kanë blerë rreth 90 hektarë tokë, me vlerë 180 mijë euro. Një vlerë jashtëzakonisht e madhe dhe praktikisht është blerësi më i madh i tokës në këtë zonë turistike, e cila ka qënë objekt falsifikimi. Dhe që ngre shumë pikëpyetje për këtë aferë, lehtësimin e procedurave për tjetërsimin e këtyre tokave me dokumente te falsifikuara. Të cilat nuk bëhen pa mbështetje nga lart.
Rasti i abuzimit në Lezhë dhe në Durrës e ka treguar këtë. Ndërkohë që pritet që dënimi me vendim të formës së prerë të autorëve të grabitjes e apelimi i tyre tashmë i garantuar pas vendimit me 43 vite burg për të gjithë, mund të sjellë që ata të rrëfehen, të flasin në organin e akuzës për skemën se si zyrtarë në nivele kaq të larta mbërrinin deri në marrveshje me falsifikatorë për të përfituar prona publike me çmime të lira.
Ndaj deputetit Ylli ka pasur akuza edhe në të shkuarën për përvetësim të pronave publike në kryeqytet. Si një mik i vjetër i Kryeministrit Rama, uzurpoi një tokë publike tek Akademia e Arteve, gjatë kohës që Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. I përfshirë dikur në biznesin e shitjes së vizave, Fidel Ylli është sot një nga oligarkët e vendit, që propozon dhe krijon ligje për të përfituar pjesa më e pasur e shqiptarëve.
Për 90 hektarë tokë të falsifikuar të blerë badihava në Karaburun deputeti i PS Fiden Ylli shpëtoi, falë Ramës.
Dosja që dënoi zyrtarët e lartë, si u falsifikuan dokumentet dhe kush përfitoi
Sipas dosjes hetimore, vlera e tokave të përvetësuar në Karaburun nga ish zyrtarët e dënuar dy ditë më parë shkon në rreth 100 milionë euro.
Në dosjen e “Karaburunit” thuhet se 220 hektarë tokë janë përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara. Sipas hetimeve të prokurorisë prona ishte regjistruar në emër të Rajmond Mezit dhe më pas është ndarë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe prej 130 hektarë dhe 90 hektarë.
Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar tek persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë referuar më pas edhe ne regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme.
Historiku i falsifikimit të dokumenteve të pronësisë nis me ato të kthimit dhe njohjes së pronës qysh prej vitit 1943 ku fillimisht ka rezultuar pronar Jakup Mezini.
Kjo pronë me dokumente të falsifikuar është regjistruar në hipotekë në vitin 2002 me përshkrimin “Një sipërfaqe Kullotë prej 220 ha” në emër të Rajmond Mezinit.
Lidhur me këtë falsifikim deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë që hetimit të prokurorisë së Vlorës mbi falsifikimin e kësaj prone i janë bashkuar dhe kallëzime të dy shtetasve, të cilët pretendojnë pronësinë në një pjesë të kësaj hapësirë.
Nga ana tjetër në bazë të veprimeve hetimore të kryera të Njësisë Task-Forcë së Prokurorisë së Vlorës, ka rezultuar se prona me sipërfaqe 220 hektarë në Shën Vasil, Karaburun, fillimisht është regjistruar në emrin e shtetasi Rajmond Mezi.
Ndërsa nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, ishte i falsifikuar.
Ndërkohë kujtojmë që kjo 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit janë sekuestruar nga ana e Prokurorisë deri në një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës.
Sekuestrimi erdhi pasi toka është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, bazuar në një seri dokumentesh të falsifikuar.Pamfleti.com