Loading...

Udh’ e mbarë se erdh prendvera, shko dallëndysh’ tue fluturue

Nji lules s’vyshkun…
Lulja e bukur – keput kush te ka,

Prej shoqesh tueja – kush te paska nda?…

M’je vyshke e thamun – lulja e shkrete

Qysh se te kane tret

Se ti dhe une – nda prej shoqenise

Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperise

Si ti u dogja – lulja e shkrete

Ne dhe t’huejin tue u tret’

Ti, ne kopsht tandin – ku ke lulzue

T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue

Por tash je veshkun – lulja e shkrete

Tash qi t’ka trete!

Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue

Prindet me knaqshin – isha i lumnue

Por tash po digjem lulja e shkrete

N’dhe t’huejin trete

Shko, dallëndyshe…
Udha e mbarë, se erdh prendvera,

shko dallendyshe tue fluturue,

prej Misirit n’dhena tjera

fusha e male tue kërkue;

n’Shqypni shko, pra, fluturim,

shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh

saj’ shpis’ vjetër ku jam le,

me ato vende rreth t’përfalesh

ku kam shkue kohën e re;

atje shko, pra, fluturim,

fal me shndet gjytetit tim!

Shko n’at shkollën ku jam msue

me shokë t’mi, shokt e fmnisë,

shko n’at Kishë ku kam urue

t’parën Uratë Perendisë,

atje shko, pra, fluturim,

fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,

me ato prronje rreth t’përfalesh;

n’ato fusha qi m’ka Shkodra,

të lulzueme, aty t’ndalesh,

tue këndue me ambëlcim:

fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue,

dojsh’ edhe un me u nisë me ty,

dojshe n’Shkodër me kalue,

m’e pa prap at vend me sy!…

Por… ti shko atje flutrim;

e ti qajma fatin tim!…

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,

dallendyshe ulu me pushue;

kam dy vorre n’at vend t’vajit,

t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:

qaj me za t’përmallshëm shqim

nji kangë tanden gjith vajtim!…

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni

n’ato vorre me vajtue,

ti dallendyshe, veshun në zi,

ti aty pra qaj për mue,

me nj’at za t’përmallshëm shqim,

kangën tande për vajtim!
Filip Shiroka(Shkodër, 3 gusht 1859 – Bejrut, 14 nëntor 1935)
U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozës së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Ka qenë inxhinier, poet lirik dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t’onë (dhe anmiqve të vet). Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë “përgjegjësi i fletoreve L’Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.

Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, Alice. Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar.

Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut. Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.

Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921. Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”.

Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit. Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij.

Vepra

Poema e parë e botuar ishte “All’Albania all’armi, all’armi”!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore Cattolico të Milanos më 1878. Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.

Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës, Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra, të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço. Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike. Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç’duhet të dijë një i krishterë i mirë për t’i ndihur shpirtrat e Purgatorit. Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes.

Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.

Fotoporteti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com