Një nga liturgjitë e shumta të Javës së Madhe të Pashkëve, e cila, nganjëherë, nuk njihet, ose nuk tërheq fort vëmendjen, është shërbimi liturgjik i “Tenebrae” (Terri), i cili kremtohet nga katolikët, por edhe nga anglikanët, protestantët dhe nga disa Kisha ortodokse. Pas Koncilit II të Vatikanit, ai nuk kremtohet më rregullisht nga Kisha Katolike, përveçse në raste të veçanta, por natyrisht, ka shoqëruar gjatë kësaj periudhe para Pashkëve, brezat e mëparshëm të besimtarëve.
Në thelb, gjatë tri ditëve të fundit të Krezhmëve, lutjet e mëngjesit dhe Lavdet e së Enjtes së Madhe, të Premtes së Madhe dhe të Shtunës së Madhe, kremtohen mbrëmjen e mëparshme, pra duke filluar nga sot në mbrëmje vonë, nën dritën e qirinjve. Këndohen psalme e vajtime, lexohen pjesë nga Bibla, që vënë në pah misteret e shenjta të Javës së Madhe, për të përfunduar me Benedictus e Miserere. Kremtimi, që përqëndrohet mbi vdekjen e Krishtit, ka ton të trishtuar e solemn.
15 qirinj mbi shandanin në formë trekëndëshi
Në çdo ditë të “Tenebrae” (Të Mërkurën, të Enjten dhe të Premten e Madhe) ndizen 15 qirinj, që vendosen në një shandan të veçantë, në formë trekëndëshi, që quhet “Shigjeta”. Gjatë liturgjisë, qirinjtë shuhen një nga një, secili pas leximit apo këndimit të Psalmit.
Në disa variante të uratëve të “Territ”, liturgjia reduktohet në shtatë lexime nga Ungjilli (e shtatë qirinj), që përfaqësojnë shtatë “hije” apo zona të errta në jetën e Krishtit: Hija e Tradhtisë, Hija e Mohimit, Hija e Vetmisë, Hija e Akuzës, Hija e Vuajtjes, Hija e Kryqëzimit dhe Hija e Vdekjes.
Qiriu i fundit, i cili simbolizon Krishtin, nuk shuhet, por, zakonisht, fshihet pas altarit, pas leximit të fundit biblik, për t’u kujtuar besimtarëve arrestimin e Jezusit, drita e të cilit, gjithsesi, nuk shuhet kurrë. Në errësirë, thuhet lutja përfundimtare. Në atë çast, në kishë dëgjohet një zhurmë e madhe, që quhet “strepitus” (nga latinishtja, zhurmë). Realizohet duke lënë të bien libra mbi një bangë të kishës, ose duke i rënë fort një instrumenti, ose duke bërë zhurmë me lloj-lloj mjetesh, për të imituar kështu, tërmetin pas vdekjes së Krishtit dhe konfuzionin, që i kaploi njerëzit. Ka edhe kuptimin e zhurmës, që bën guri, kur rrotullohet për të mbyllur hyrjen e varrit të Krishtit.
Gjatë “Tenebrae”, kisha zhytet në errësirë, por terri nuk e ka fjalën e fundit
Liturgjia përfundon me heshtje e qiriu i fundit, ose lihet i fshehur, ose vihet në dukje sërish. Besimtarët largohen pa fjalë e atmosfera është akoma shumë e trishtuar. Është çasti për të reflektuar mbi vdekjen e Zotit tonë Jezu Krisht e për terrin, që e mbuloi botën të Premten e Madhe. Është kremtim i mrekullueshëm i Javës së Madhe, gjatë të cilit besimtarët e përjetojnë thellë vdekjen e Krishtit, duke e bërë akoma më dramatike ndezjen e qirinjve Natën e Madhe të Pashkëve. Gjatë “Tenebrae”, kisha zhytet në errësirë, por terri nuk e ka fjalën e fundit. Në atë terrinë humnere fillon kremtimi i Vigjiljes së Pashkëve, duke ia lënë vendin dritës së Krishtit, që simbolizohet nga qiriu i Pashkëve, i cili e kthen terrin në dritë hap pas hapi. E gjithë kisha rrezaton e shkëlqen, kur qiriu mbërrin në Sancta Sanctorum./Radio Vatikani