Një 51-vjeçare, e cila dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti i saj, ka humbur jetën në spitalin ‘Nënë Tereza’. Ngjarja e rëndë ndodhi në Tiranë. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë me dije se shtetasja me inicialet A.GJ., pas një sherri që kishte pasur me burrin e saj, shtetasin me inicialet I.GJ., kishte dalë në rrugë dhe aty kishte humbur ndjenjat, pasi kishte pësuar infarkt.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se kanë qenë kalimtarët e rastit ata që i kanë ofruar ndihmë gruas, e cila u dërgua me urgjencë në spital. Pasi mjekët këqyrën pacienten, vunë re se 51-vjeçarja kishte edhe hematoma të mëdha në trup, ndërsa rasti iu referua policisë se gruaja ishte dhunuar nga burri i saj. Sakaq, pas disa ditësh qëndrimi në spital, gruaja nuk mundi të mbijetonte.
“Më datë 23.03.2018, u referuan materialet Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin I.GJ, vjeç 54, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes, shtetases A.GJ, vjeç 51 banuese në Tiranë, e cila më datë 21.03.2018, në rrugën “Margarita Tutulani’, është rrëzuar dhe ndodhet në spital. Neni 130/a i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën ku ishte ngritur hetimi për dhunën në familje.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se vdekja ka qenë natyrale, pasi gruaja ka pësuar atak kardiak. “Neni 130/a i Kodit Penal. Në vijim të komunikatës datë 23.03.2017, më datë 25.03.2018, shtetasja A.Gj ka ndërruar jetë. Nga veprimet e kryera, rezultoi se shkaku i vdekjes është aksidental. Neni 130/a i Kodit Penal”, thuhet në komunikatë.