Mëmëliga është një specialitet i kuzhinës shqiptare dhe pavarësisht emërtesave të ndryshme që receta e saj ka në zona të ndryshme ajo gatuhet në të gjitha trevat shqiptare.
Është një gatim shumë i thjeshtë dhe përgatitet në shumë pak minuta por shija e tij të përfshin tërësisht.
Sot, ky gatim i veçantë ruan njëlloj traditën e tij e madje është pjesë e më të mirave gatime shqiptare në menutë e restoranteve tradicionalë.
Më poshtë keni përgatitjen e Mëmëligës në shtëpi, një gatim fantastik që do bashkojë me siguri gjithë familjen rreth tryezës.
Përgatitja e Mëmëligës me Miell Misri dhe Arra
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
3 filxhanë çaji me miell misri
5 filxhanë çaji me ujë (Në vend të ujit mund të përdoret edhe shëllirë djathi e holluar me ujë)
2 lugë gjelle gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju sugjeron përdorimi e vajit të ullirit)
4-5 lugë gjelle djathë i thërrmuar (i bardhë ose kaçkavall sipas dëshirës)
4-5 lugë gjelle me arra të thërrmuara
Përgatitja
Në një tenxhere hedhim 5 filxhanët e çajit me ujë ose shëllirë djathi të holluar me ujë dhe e vendosim në zjarr derisa uji të nisë të valojë.
Menjëherë sapo uji nis të nxjerrë bulëzat e para të vlimit shtojmë gjalpin e freskët dhe miellin e misrit të situr.
Në këtë moment, këshillohet që masën ta përzieni shpejt përmes një luge druri dhe pa ndërprerje në mënyrë që të evitohet krijimi i kokërrizave.
Përzihet derisa masa të bëhet kompakte dhe të nisë të shkëputet nga anët e tenxheres.
I shtojmë kripë dhe e përziejmë dhe pak. Në rast se përdorni shëllirën e djathit provojeni nëse ka kripë sa duhet.
Më pas, mëmëligën e përgatitur shtrojeni në një tepsi dhe ndajeni në racione.
Mëmëliga mund të shërbehet në pjatanca edhe lugë-lugë.
Kur shërbehet sipër spërkatet me pak gjalpë të skuqur , arra dhe me djathë të thërrmuar, të bardhë apo kaçkavall.