Loading...

Panuçi: Norvegjia një leksion i mirë, shumë lojtarë janë jashtë forme!

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Kristian Panuçi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka ku ka bërë analizën e tij për humbjen në miqësore ndaj Norvegjisë.

“Ishte një miqësore, zhvilluam disa eksperimente për të parë dhe provuar disa të rinj, nëse mund të jenë pjesë e ekipit kombëtar, duke llogaritur edhe miqësoret e qershorit. Personalisht, më dha shumë mësime një ndeshje e tillë. Nuk më pëlqen asnjëherë të humbas, kam fjetur shumë pak mbrëmë. Një humbje e tillë kishte më shumë domethënie se fitorja ndaj Turqisë. Ishte një leksion i mirë.

Kam qenë koshient në këtë miqësore, edhe duke rrezikuar. Nuk mendoj se i kam djegur dy ndërrimet. Ramadani u shfaq në nivel të lartë, ka bërë mirë edhe Bare në mesfushë. Qakën e pashë të emocionuar. E dija që do të rrezikoja me dyshen Mavraj-Ajeti në qendër të mbrojtjes. Ishte ndeshje miqësore dhe duhej të provoja disa situata. Edhe Lika është një futbollist që punon shumë. E vlerësoj si një element që mund të jetë pjesë e grupit të kombëtares. Duke pasur pak kohë në dispozicion, natyrisht që në miqësore të tilla do të provoj. Nuk kthehem mbrapa, do të provoj idetë e mia. Është një opsion për të luajtur me modulin 4-3-3. Nuk e llogarisë fare zotërimin e topit në ndeshjen e djeshme. Kam disa ide dhe në miqësoret në Zvicër do të vijoj implementimin e tyre. Unë nuk tërhiqem.

Paraqitja e Strakoshës? Ishte në presion, por ka personalitetin për ta përballuar. Gaboi pak. E kam thënë se në miqësoren e radhës do të luajë Berisha e kështu me radhë. Pastaj, në ndeshjet zyrtare do të vendos se cili do të jetë titullar. Ne e dinim rrezikun e një performance të tillë. Nëse do të ishte ndeshje zyrtare, nuk do të luanim kështu, por jo se nuk mundemi. Jam shumë realist, nuk jam këtu për justifikime. Jam i sinqertë dhe shumë i drejtpërdrejtë. Përgjegjësinë e mbaj unë, se jam trajneri. Ajeti, Mavraj dhe Sadiku nuk po luajnë në klubet e tyre. Roshi vjen me dy muaj pushime dhe vetëm dy ndeshje ka luajtur. Desha të vë në provë në qendër lojtarët tanë të vegjël kundër gjigantëve norvegjezë. Shiriti i kapitenit? Kush ka më shumë ndeshje do të jetë kapiten me mua. Vetëm me këtë rregull kam hequr çdolloj paragjykimi. Kështu do të vazhdoj. Kapiten duhet një lider? Për mua, lider duhet të jenë të gjithë në fushë, përderisa u besoj një fanellë titullari në ndeshje.

A është skuadra e bashkuar, apo ka qejfmbetje? Kemi një grup shumë të mirë, që stërvitet mirë. Edhe të rinjtë janë ambientuar. Natyrisht, ata që nuk luajnë e kanë me trajnerin, por një histori e tillë dihet. Nuk ndodh vetëm këtu, ndodh kudo. Miqësoret e qershorit? Gjithmonë, në respekt të hierarkisë institucionale, është e konfirmuar njëra miqësore, por do ta publikojë zyra e shtypit. Do të luajmë dy miqësore në qershor, por emrat e kundërshtarëve do t’i merrni vesh ditët në vazhdim. Ekipi kombëtar është detyrim dhe nder për këdo që vjen.

Nëse dikush nuk ka dëshirë të vijë, për shumë arsye, le ta thotë më përpara, të vijë me mua në konferencë shtypi dhe ta deklarojë, por nuk mendoj se kjo ndodh. Për mua, fanella e kombëtares është maksimumi i krenarisë për çdo futbollist. Dy lojtarët e Shpresës nuk i aktivizova? Skuadra e madhe përfaqësuese mbetet niveli maksimal, është kryesorja. Isha në kontakt me lojtarët. Më munguan dy lojtarë nga jashtë, të dëmtuar. U mundova t’i jepja një stimul Abazajt, sepse po bënte mirë në kampionatin shqiptar. Ramadani luajti në Turqi, pas ndeshjes me ekipin Shpresa.

Unë do të mundohem ta ndihmoj Bushin, por ekipi kombëtar është mbi të gjitha. Nëse do të kem nevojë, do të marr përherë lojtarë nga ekipi Shpresa. Grezda nuk ishte i dëmtuar, ndryshe nuk do të luante. Futbolli është një sport i tillë, mund të përplasesh në stërvitje, të ndiesh ndonjë dhimbje për momentin. Nëse do të kishim edhe motivim më minimal, që nuk do të ishte në gjendje, Grezda nuk do të luante. Por, nuk kishte probleme. Na ndodhi me Berishën, të cilin e falënderoi sepse u treguar shumë profesionist. Erdhi te pankina dhe më tha se kishte shqetësime në kofshë. Ai nuk mund të luante për arsye dëmtimi. Nëse edhe Strakosha do të kishte probleme, do të luante Hoxha në portë. Si e shoh me qetësi tani, ndeshjen ndaj Norvegjisë? Edhe nëse do të rrinim dy ditë duke luajtur, nuk do të shënonim gol kurrë. Diferenca u bë në aspektin fizik, ku ishim shumë poshtë kundërshtarit. I vetmi që mund të bënte diçka ishte Grezda. Kjo më shqetëson shumë.

Janë shumë lojtarë, që nuk luajnë me ekipet e tyre dhe gjenden në klasifikim të vështirë. Nëse do të isha në vend të tyre do të jepja maksimumin e dëshirës e krenarisë për të bërë më shumë me ekipet e tyre, në të kundërt do të sforcohen, do të kenë shumë probleme kur të vijnë në kombëtare. Plan B? Këta janë lojtarët që kemi. Mos duhet të thërrisja Kukelin, që nuk luan prej 1 muaji e gjysmë, apo Abrashin, që është i dëmtuar. Në mbrojtje kemi pak alternativa. Mund të aktivizoja Gjimshitin, që po bën mirë te Benevento, por desha të provoja dyshen Mavraj-Ajeti. Veseli nuk ishte për shkak lëndimi. Qendra e mbrojtjes ka pak minuta në këmbë. Nëse të gjithë janë në formë të mirë fizike, jam i bindur se mund të bëjmë shumë mirë. Këtë e treguam ndaj Turqisë.

Kur nuk ke minutazhin e aktivizimit në klubet përkatëse, nuk mjafton stërvitja që bën pak ditë në kombëtare. Nëse kjo situatë vazhdon, do ta vuajmë këtë gjë. Zhegrova dhe Kosova? Nuk më takon mua t’u përgjigjem këtyre gjërave. Kemi qenë në të njëjtin restorant, ku ishte grumbulluar kombëtarja e Kosovës, kur jemi takuar me Zhegrovën. Nuk e di nëse kanë folur ata më parë me të. Nuk kam asgjë kundër Kosovës, por vetëm respekt maksimal. E uroj për një fat të mirë Zhegrovën. Ai na tha se po, do të vij te Shqipëria. Më pas ndryshoi mendje. Respekt maksimal për Kosovën, por çështja është e mbyllur”, ka thënë Panuçi.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com