Loading...

Vendimi i menjëhershëm – 50 biznese kosovare bojkotojnë ‘Rrugën e Kombit’

Rreth 50 biznese të ndërtimit nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë “Rrugën e Kombit” pas tarifave për kalimin e autostradës të vendosura nga Qeveria Shqiptare.

Këto biznese thonë që vetëm material ndërtimor importojnë nga Shqipëria, rreth 35 milionë Euro në vit dhe Rrugën e kombit e kalojnë në vit rreth 21 mijë makina. Pas vendosjes së taksës, ku taksa për makineri të rënda është 46 Euro vajtje ardhje, kompanitë në vit detyrohen të paguajnë rreth 1 milionë Euro më shumë.

Këtë vendim, këto kompani e quajnë si plaçkitje nga Qeveria Shqiptare, ku ankesa kanë edhe për skanerin e vendosur për importuesit që përdorin si tranzit portin e Durrësit, për të cilin thonë që paguajnë 23 Euro, pa e përdorur fare.

Jetmir Bytyçi, përfaqësues i këtyre bizneseve, i tha Klan Kosovës se kjo është një “plaçkitje” e vendosur nga shteti shqiptar, për të cilin thanë që kanë tentuar t’ia paraqesin ankesat e shqetësimet e tyre, por që nuk u morën parasysh deri tani.

Bytyçi shton se pas këtij bojkoti, do të detyrohen që biznesin e tyre ta orientojnë nga vendet që ai i cilëson si të “padëshirueshme”, siç janë Serbia dhe Maqedonia.

Ai shprehet i bindur se bojkotin do ta mbajnë dhe nuk do të heqin dorë nga vendimi i tyre, deri në zbritjen e taksës rrugore, për të cilën thotë që nuk janë kundër saj, mirëpo çmimi është tepër i lartë.

Ai thotë se po të përshkruhet rruga nga Serbia apo Maqedonia, nuk paguhen më shumë se 10 cent për një kilometër rrugë, kurse për 1 kilometër të përshkruar në “Rrugën e Kombit” duhet të paguhen mbi 0.38 cent.

“Të gjitha këto pengesa dhe tarifa, çojnë në humbje të perspektivës dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë në këto hapësira shqiptare”.

Ata kërkojnë gjithashtu nga qeveria shqiptare që t’i marrë parasysh këto kërkesa, pasi sipas tyre përgjatë 10 viteve kur u ndërtua kjo autostradë, vetëm me këto produkte që tani do t’i bojkotojnë, shuma që Shqipëria përfitoi ishte rreth 350 milionë Euro.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta në Kosovë e Shqipëri 24 orë para hyrjes në fuqi të taksës rrugore.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com