Loading...

Aktorja e filmave pornografikë mbi marrëdhënien e saj me Donald Trump

Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë që thotë se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me zotin Trump para se ai të fillonte karrierën politike, tha në një intervistë për emisionin e lajmeve 60 Minutes të rrjetit CBS se e kishin kërcënuar, kur kishte tentuar të tregonte për këtë marrëdhënie dhe se kishte pranuar një shumë parash nga një avokat i presidentit që të mos fliste për lidhjet e saj të kaluara me zotin Trump, pasi kishte frikë se mund t’i cënohej familja:

Stephanie Clifford, e cila njihet me emrin e ekranit Stormy Daniels, tha dje në një intervistë për rrjetin CBS se po shkonte në palestër me vajzën e vogël kur iu afrua një individ i panjohur:

“Isha në parkim, po shkoja në palestër me vajzën. Po e nxirrja vajzën nga sedilja e pasme e makinës, po merrja çantën me panoline. Kur m’u afrua një burrë dhe më tha: “Mos u merr me Trumpin. Harroje ç’ka ndodhur”. Pastaj ai u përkul tek makina, pa nga vajza dhe më tha: “Sa fëmijë i bukur. Do të ishte mëkat sikur e ëma të pësonte diçka të keqe”. Pas këtyre fjalëve u largua”.

Ajo thotë se ky incident ndodhi në Las Vegas në 2011, pak pasi ishte përpjekur t’ia shiste historinë e saj një reviste sensacionale. Stormy Daniels thotë se për vite me radhë ndjehej e tronditur nga kjo histori dhe mendoi se po bënte veprimin e duhur, duke pranuar 130 mijë dollarë si shpërblim nga avokati i zotit Trump për të mos e diskutuar këtë histori.

Historia e Stormy Daniels nuk përmban detaje të ndonjë kontakti apo marrëdhënieje të paligjshme me presidentin. Por grupe që punojnë për etikën dhe transparencën në zgjedhje, thonë se pagesa mund të përbëjë shkelje ligjore. Avokati i presidentit thotë se e pagoi aktoren nga paratë e veta. Por pagesa të tilla mund të përbëjë shkelje të ligjit për fonde fushate.

Një tjetër problem lind nga akuzat e aktores se ka pasur tentativa për t’ia mbyllyr gojën me kërcënime. Avokati i presidentit Michael Cohen ka hedhur poshtë aludimet e aktores se ai ka pasur lidhje me personin që bëri kërcënimin. Avokati nxori mbrëmë një letër ku kërkon që Stormy Daniels të tërheqë akuzat dhe të kërkojë ndjesë.

Përfaqësues të presidentit kanë hedhur poshtë pretendimet e aktores për marrëdhënien jashtëmartesore duke thënë se zoti Trump nuk ka pasur një lidhje të tillë dhe se nuk ka qenë në dienë të pagesës së parave nga Michael Cohen.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com