Duket se Vettingu dhe Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, ka nisur goditjen me kamzhik kundër Gjykatës Kushtetuese.
Kjo gjykatë, është përfshirë në kolaps, pasi të gjithë anëtarët e saj po e braktisin, me shpresën që të gjejnë shpëtim nga drejtësia dhe ti shpëtojnë burgut.
Tashmë, gjykata më e lartë e vendit ka mbetur me 5 anëtarë dhe ajo nuk mund të marrë në shqyrtim asnjë çështje, pasi për të quajtur të vlefshme një mbledhje, duhen minimalisht 6 gjyqtarë. Nga Gjykata Kushtetuese dha dorëheqjen para vetingut, anëtari Besnik Imeraj, ndërkohë më herët është larguar Vladimir Kristo, të cilit i kishte mbaruar mandati prej disa vitesh.
Ndërsa më parë dha dorëheqjen edhe gjyqtari Sokol Berberi. Pezullimi i Fatos Lulos deri sa të përfundojë procesi i apelimit e ka futur zyrtarisht Gjykatën Kushtetuese në ngërç institucional. Veç 3 vakancave të krijuara nga dorëheqja e Vladimir Kristos, Sokol Berberit dhe Besnik Imerajt, pezullimi i Lulos nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e lë këtë gjykatë vetëm me 5 nga 9 anëtarë, çka e bën të pamundur gjykimin dhe vendimmarrjen e saj për të gjitha çështjet në shqyrtim. Neni 32 i ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese parashikon se seancat gjyqësore mund të zhvillohen vetëm me pjesëmarrjen e të paktën 2/3-ve të anëtarë të saj. Pra, në sallë duhet të jenë 6 nga 9 anëtarët.
Por Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja nuk e konsideron si rënien e këtij institucioni, por ai kërkon procedura të përshpejtuara për plotësimin e vendeve vakante.
I kontaktuar dje nga “TCH”, Dedja pyetjes nëse ka rënë apo jo Gjykata Kushtetuese iu përgjigj: “Jo, unë nuk mund të them që Gjykata Kushtetuese ka rënë, por mund të them që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më në disa aspekte të saj, që janë vendimet e seancës plenare dhe vendimet e mbledhjes së gjyqtarëve”, tha Dedja.
Por, mosfunksionim në seancë plenare do të thotë se gjyqtarët kushtetues nuk mund të dalin më në seancë për të zhvilluar këto procese sipas këtij kalendari të paralajmëruar. Dedja përsëriti të njëjtin apel për zëvendësimin e vendeve vakante.
“Tashmë Gjykata Kushtetuese nuk formon dot kuorumin me gjashtë anëtarë, e vetmja gjë që mund të them është të përshpejtohen procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”, tha z.Dedja.