Loading...

Vjedhja e tokave në bregdet, 40 mijë hektarë nuk kthehen më

Bregdetit shqiptar i janë marrë padrejtësisht 50 mijë hektarë tokë shtetërore. Një pjesë është tjetërsuar me dokumente false, ndërsa pjesa tjetër është privatizuar pa dokumentacion. Ky është konkluzioni i një raporti të Task Forcë që bëri verifikimin e pronave në bregdet. Sipas dokumentit që disponon Top Channel, për 40 mijë hektarë është e pamundur të rimerren nga shteti pasi janë dhënë me vendim gjykate.

Një raport i Task Forcës për verifikimin e pronave të bregdetit ka gjetur se vetëm në vijën bregdetare të jugut janë marrë padrejtësisht 50 mijë hektarë toka shtetërore.

Raporti, i cili disponohet nga Top Channel konstaton se një pjesë e tokave në bregdet janë tjetërsuar me dokumente false, ndërsa pjesa tjetër është privatizuar në mungesë të plotë të dokumentacionit ligjor.

Sipas raportit pjesa më e madhe e këtyre tokave, për rreth 40 mijë hektarë është e pamundur të rimerren më nga shteti, për shkak se janë dhënë me vendime gjyqësore edhe pse nuk kanë patur dokumente të rregullta. Ndërkohë që për pjesën tjetër, për atë që është marrë me dokumente të falsifikuara autoritetet shtetërore do të nisin procedurat për rishtetëzimin.

Sipas taks forcës, situata rezulton problematike në të gjithë vijën bregdetare të jugut, veçanërisht në Vlorë, Dhërmi, por edhe Sarandë ku tokat shtetërore janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

Ky verifikim është bërë përgjatë periudhës 2014-2015. Pak ditë më parë qeveria miratoi një vendim, i cili pezullon plotësisht dhënien e titujve të pronësisë për tokat në bregdet deri në një afat të pacaktuar.

Burime nga taks forca thonë se pas këtij vendimi do të ketë të tjerë hapa ligjorë që do të përcaktojnë se çfarë do të bëhet me tokat që janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Sipas qeverisë, synimi është që këto prona të rimerren nga shteti për tu përdorur në investimet strategjike, por kjo nismë është kundërshtuar nga opozita si një tentative e qeverisë për të grabitur tokat e bregdetit përmes bizneseve të lidhura me të.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com